Tiranë, 15 janar NOA - Kryeministri, Sali Berisha zhvilloi sot homazhe në nderim të skulptorit të popullit Shaban Hadëri, i cili u nda dje nga jeta.
Duke e vlerësuar skulptorin si një nga korifenjtë e artit dhe skulpturës shqiptare, kryeministri tha se me talentin, përkushtimin dhe atdhetarinë e tij, Shaban Hadëri i la vendit dhe kombit një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur dhe të çmuar.
"Shaban Hadëri ndahet nga jeta si një nga korifenjtë më të mëdhenj të artit dhe skulpturës shqiptare. Me talentin, përkushtimin, atdhetarinë e tij, ai i la vendit dhe kombit një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur dhe të çmuar.
Shqipëria humbet skulptorin e saj të madh, humbet intelektualin e saj të shquar, por edhe një qytetar shembullor. Humbja është e thellë dhe e madhe.
Trashëgimia e tij është kontributi dhe kujtimi më i ndritur i këtij kolosi të skulpturës shqiptare.
Shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes, miqve të afërmve, por dhe botës së artit dhe botës intelektuale në tërësi" tha gjatë mesazhit të tij të ngushëllimit, kreu u qeverisë, Berisha.
k.k/NOA