Itali, 15 Janar NOA - Pas një muaj jashtë fushave është momenti që të rikthehet portieri numër një i Juventus Gianluigi Buffon. Këtë lajm e ka dhënë vetë lojtari i cili ka shkruar në uebsajtin e tij se është i gatshëm të rikthehet dhe madje kërkon të jetë në fushë në ndeshjen e ardhshme të Juventus atë përballë Chievos.
Një konfirmim tjetër për këtë gjë ka ardhur dhe nga bashkëshortja e lojtarit Elena Seredova e cila e ka thënë këtë në një intervistë lëshuar për mediat italiane.
Buffon tha se operacioni që bëri përfundoi me shumë sukses pasi nuk ka patur asnjë problem gjatë kësaj kohe madje ky rikuperim ishte më pozitiv nga ç'pritej.
Për këtë arsye portieri i ekipit juventin dhe i kombëtares italiane ka shumë dëshirë të jetë në portë në ndeshjen me Chievon pasi sipas tij pas fitores me Napolin në Kupën e Italisë, ndeshja me Chievon e cila do të luhet në Verona do të jetë tepër e rëndësishme për vazhdimësinë e Juventus dhe Buffon për ekipin është një pikë kyçe.
r.b/NOA