English

Evropa dhe varësia nga gazi rus

Euro-komisionari i zgjedhur për energjinë, Gunter Oetinger, mendon se Evropa duhet të zvogëlojë varësinë ndaj gazit rus, por pa dëmtuar raportet me Moskën. Oetinger, gjatë paraqitjes në Parlamentin Evropian, është përballur edhe me shqetësimet e deputetëve nga Polonia dhe vendet baltike

Nga Ahto Lobjakas

Gunter Oetinger dukej i sigurt për postin e euro-komisionarit për çështjet e energjisë, pas paraqitjes së tij në Parlamentin Evropian.

Padyshim, bëhet fjalë për një nga detyrat më të fuqishme në krahun ekzekutiv të Bashkimit Evropian. Euro-komisionari për çështjet e energjisë ka ndikim të madh në politikën e jashtme, në çështjet e mjedisit, në rimëkëmbjen ekonomike, si dhe në marrëdhëniet me Rusinë, Kaukazin dhe Azinë Qendrore. Përzgjedhja e kandidaturës së Oetingerit nga Gjermania padyshim është bërë duke pasur në mend Rusinë. Pozicioni gjeografik i Gjermanisë, në qendër të Evropës, bën që Berlini të ketë interes në ruajtjen e marrëdhënieve të qëndrueshme me Rusinë. Kjo u duk edhe në qasjen e kujdesshme të Oetingerit në çështjet kyçe strategjike, siç është dhe gazpërcjellësi Nabuko, që synon të ulë varshmërinë e Evropës nga gazi rus. Oetinger tha se "është pozitiv fakti që të kemi qasje direkte te burimet energjetike të Turkmenistanit dhe Azerbajxhanit, por këto përpjekje nuk duhet të armiqësojnë Rusinë".

"Unë, gjithashtu, shoh një mundësi për të baraspeshuar varshmërinë tonë nga Rusia, por pa marrë asgjë nga partneriteti ynë me Rusinë, që është formuar gjatë dekadave të fundit dhe që do të vazhdojë të zhvillohet në dekadat që vijnë", tha Oetinger. Rusia kërkon të ketë ndikim në Evropë dhe Oetinger e pranoi këtë fakt, por ai shtoi se Bashkimi Evropian nuk duhet të trembet, madje duhet ta bëjë varshmërinë një rrugë dykalimëshe në raportet Evropë-Rusi. Droja se Rusia mund t'i përdorë burimet energjetike si armë politike, është e bazuar. Aktualisht, 50% të të gjithë importeve të naftës e të gazit në Bashkimin Evropian, e përbën nafta dhe gazi rus. Nëse vazhdohet me tendencat aktuale, kjo do të shkojë në 70% deri në vitin 2020. Qeveritë në Poloni dhe në vendet baltike vazhdojnë të ankohen se Rusia po përdor pozicionin e saj dominues në fushën energjetike për përfitime politike. Katër vendet janë ende të shqetësuara nga marrëveshja ruso-gjermane për gazpërcjellësin "Rryma e Veriut". Oetinger u përpoq t'i qetësonte shqetësimet e Polonisë dhe vendeve baltike, duke thënë se është i ndërgjegjshëm se "Rryma e Veriut" nuk ka pasur solidaritet nga disa prej vendeve në lindje të kontinentit. Ai shtoi se në të ardhmen do të përpiqej të evropianizonte marrëveshje të ngjashme. Megjithatë, euro-komisionari e pranoi se politikat energjetike aktualisht mbeten kompetencë e qeverive individuale. Analistët tërheqin vërejtjen se raporti mes energjisë dhe politikës ndërkombëtare nuk do të dobësohet në të ardhmen e afërt. Aleksandër Rahr, drejtor i Euroazisë në Këshillin gjerman të marrëdhënieve me jashtë, tha për Radion Evropa e Lirë se energjia është e përfshirë me politikën dhe askush nuk ka luksin që ta injorojë një fakt të tillë. "Mendoj se çështja e gazit është e politizuar, pavarësisht se çfarë ndodh. Gazi po bëhet një mjet i rëndësishëm, jo vetëm në duart e Rusisë, por edhe në duart e vendeve nga ku gazi kalon transit. Gazi bëhet faktor i rëndësishëm në kushtet kur Bashkimi Evropian ka pak burime të veta", tha Rahr. Janë ngritur jo pak dyshime rreth paanshmërisë së Oetingerit si komisionar për energjinë, kur ka pasur informacione për lidhjet e tij të afërta me gjigantin e energjisë gjermane, EON. Nuk kanë munguar as paralelet me ish-kancelarin gjerman, Shrëder, që aktualisht paguhet nga Gazpromi, kompania shtetërore ruse e energjisë. I detyruar nga deputetët e vendeve të Evropës Lindore të fliste rreth implikimeve politike dhe importit të energjisë, Oetinger nënvizoi nevojën e baraspeshës mes llogaritjeve politike dhe vlerësimeve tregtare. "Kur vjen puna te Nabuko, duhet të diskutojmë së pari çështje të politikës së jashtme, si të vendosim raporte me vendet që nuk respektojnë të njëjta vlera si ne", tha Oetinger. As Azerbajxhani, as Turkmenistani, vendet kyçe të projektit Nabuko, nuk janë demokraci. Oetinger tha se shpreson që vendimi përfundimtar për ndërtimin e gazpërcjellësit Nabuko, të merret këtë vit.

KOMENTE