English

Festohet Viti i Ri Ortodoks në Mitrovicë, shënohet varg incidentesh

Mitrovicë, 15 Janar NOA - Në natën e shënimit të Vitit të Ri Ortodoks, është bërë organizim publik i shënimit të kësaj feste në qendër të qytetit në veri të Mitrovicës, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Për të shmangur incidentet, Policia e Kosovës kishte përgatitur planin e veprimit dhe të shtimit të masave të sigurisë kryesisht në zonat e banuara me popullatë të përzier të lokaliteteve në veri të Mitrovicës me qëllim të parandalimit të ndonjë incidenti të mundshëm.

Organizimi publik i pritjes së Vitit të Ri ortodoks në sheshin "Shumadija" ka filluar me tubimin e disa qindra qytetarëve ka filluar rreth orës 21:00, ndërsa rruga kryesore "Mbreti Petër" ka qenë e bllokuar për qarkullim të trafikut deri pas përfundimit të festës. Në vendin ku është shënuar organizimi publik i pritjes së Vitit të Ri ortodoks, nuk është shënuar ndonjë incident ndërsa janë vënë në përdorim mjete/substanca piroteknike dhe janë regjistruar disa të shtëna nga armë zjarri.

Megjithatë, Policia e Kosovës, ka regjistruar raste të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe dëmtim të pronës kryesisht pas orëve të mesnatës në lokalet dhe kafeteritë ku është festuar kjo natë.

Rasti i parë është regjistruar rreth orës 23:50, në lokalin "No 1" në rrugën "Cika Jovina", me ç'rast një i dyshuar, identiteti i të cilët është bërë i njohur për policinë, besohet të ketë shtënë me armë zjarri në lokal duke shkaktuar dëme materiale ndërsa me të dalë nga lokali i njëjti besohet të ketë shkaktuar dëme materiale në një automjet privat të parkuar pranë lokalit.

Automjeti "Opel Astra" me targa "BG", pronë e një serbi/Kosovar (1971), ka pësuar dëme materiale në parafango si rezultat i goditjes me shkurtore (kondak) të revoles.

Prokurori publik i prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, i cili është informuar lidhur me rastin ka udhëzuar zhvillimin e hetimeve dhe inicimin e rastit si "shkaktim të rrezikut të përgjithshëm" dhe "dëmtim të pronës së luajtshme" ndërsa ka kërkuar që i dyshuari të lokalizohet dhe të intervistohet lidhur me veprimet e kundërligjshme. Kurse policia tha se është në kërkim të dyshuarit të identifikuar.

Dy raste të ngjashme të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm dhe dëmtim të pronës së luajtshme janë regjistruar edhe në rrugën "Sutjeska", përkatësisht në afërsi të diskotekës "Viva" në veri të Mitrovicës.

Njësitë policore të cilat kanë bërë shikimin e vendit të ngjarjes kanë regjistruar dëme materiale në automjetin "Opel Corsa" me targa "KS" pronë e një gorani/Kosovar dhe të një automjeti tjetër "Fiat Ducato" pa targa të regjistrimit, pronë e një serbi/Kosovar.

Dëmet materiale të regjistruara në këto dy automjete të cilat ishin të parkuara pranë njëra tjetrës, besohet të jenë shkaktuar nga një shpërthim që besohet të jetë një granatë e dorës, e llojit të panjohur.

Teknikët e kriminalistikës deklaruan se ata i kanë regjistruar dëmet materiale të shkaktuara nga copëzat e predhës ndërsa kanë përcaktuar edhe vendin ku besohej të ishte hedhur granata e dorës. Vendi i shpërthimit është përcaktuar në njërën nga shiritat e rrugës kryesore.

Rasti besohet të ketë ndodhur rreth orës 04:00, të mëngjesit të së Enjtes, ndërsa në polici është raportuar rreth orës 08:00, nga ankuesit të cilët kanë besuar se shpërthimi ishte shkaktuar nga mjete piroteknike të një intensiteti të lartë.

Mësohet se nuk është raportuar për të lënduar në njerëz ndërsa hetuesit policor kanë iniciuar hetimet e tyre lidhur me rastin e kualifikuar nga prokurori publik si "shkaktim i rrezikut të përgjithshëm" dhe "dëmtim i pronës së luajtshme".

a.b/r.b/NOA

KOMENTE