English

Homazhe në nderim të "Artistit të Popullit", Shaban Hadëri

Tiranë, 15 janar NOA - Sot paradite në Galerinë Kombëtare të Arteve janë zhvilluar homazhet në nderim të skulptorit Shaban Hadëri, i cili u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare. Merrnin pjesë artistë, miq dhe personalitete të artit dhe kulturës shqiptare. Nderuan artistin edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, zv/ministrja e MTKRS-së, Suzana Turku dhe shumë përfaqësues të lartë të shtetit.

Skulptori u nda nga jeta pas një pankirsoni të rëndë, prej të cilit vuante prej vitesh.

Hadëri krijoi disa nga veprat monumetale të rëndësishme si "Heronjtë e Vigut", "Nëna Shqipëri" dhe Monumentin e Enver Hoxhës.

Shaban Haderi lindi më 28 mars 1928 në Papavli të Delvinës, rrethi i Sarandës.

Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore ai dhe i ati Hili kanë qenë partizanë të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare. Pas mbarimit të luftës dhe me çlirimin e vendit, i përkushtohet hapjes së shkollave në Shqipëri dhe organizimit të pjesëmarrjeve të nxënësve në to. Në vitin 1947 filloi shkollën e mesme "Jordan Misja" në Tiranë.

Mësoi në këtë shkollë dhe u njoh me artistët më të njohur shqiptarë të kohës, që ishin dhe mësues në këtë shkollë si Abdurrahim Buza, Nexhmedin Zajmi, Sadik Kaceli, dhe skulptori Odise Paskali. Liceun artistik e përfundoi në vitin 1950 dhe për dy vjet radhazi drejtoi Galerinë e Arteve, duke u bërë drejtor i parë i këtij institucioni.

Në vitet '52-'58 Shaban Hadëri ndoqi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve të Bukura "Rjepin" në Leningrad (Sant Petërburg). Studenti Hadëri studio në atelienë e skulptorit dhe pedagogut Lishev dhe mbrojti dhe diplomën e punimin "Shokët".

Ky punim, kompozim me 3 figura, u ekspozua në Moskë, në ekspozitën e 13- ish vendeve socialiste. Autori, bocetin e këtij punimi e gdhendi në dru. Në 1958 kthehet në Shqipëri. Mbas formimit të plotë si skulptor dhe i edukuar në një shkollë realiste të një shteti komunist dhe vazhdimësia e krijimtarisë së tij po në një shtet komunist do ta vendoste Shaban Hadërin në grupin e artistëve realistë, punimet e të cilit paraqesin subjekte të përcaktuara nga politikat kulturore të këtij shteti.

Ka ekspozuar në të gjitha ekspozitat lokale dhe kombëtare që nga viti 1958. Punësohet në Institutin e Lartë të Arteve si pedagog në Atelienë e Skulpturës.

Hadëri është një nga pedagogët e parë të Institutit të Lartë të Arteve së bashku me skulptoren Kristina Koljaka dhe piktorët Guri Madhi dhe Vilson Kilica. Ai do të kujtohet për krijimet në skulpturë si : "Portret vajze" 1966, "Luftëtari i lirisë 1912", "Sportisti" 1964, "Pas betejës" 1967, "Portret malësoreje" 1985; "Kapedani i Delvinës" 1982; "Isa Boletini" 1978; "Heronjtë e vigut", 1967; "Busti i Skënderbeut" 1967; "Monumenti i Pavarësisë" 1972, bronz Vlorë, punuar së bashku me skulptorët Kristaq Rama dhe Muntaz Dhrami, "Relievi i 1920", punuar me bashkautorësi me skulptorin Muntaz Dhrami, "Nëna Shqipëri" përsëri me grupin e njohur të skulptorëve Rama, dhe Dhrami. Ai do të ishte autor edhe në Relievin e Kryeministrisë. Në këtë grup skulptorësh do të punonte edhe skulptori Hektor Dule, Monumenti i Enver Hoxhës, bronz 1988, i cili u vendos në qendër të Sheshit Skënderbe u realizua sipas bocetit të kryer prej skulptori Hadëri, i cili u hoq prej andej nga revolta popullore e vitit 1991.

Për krijimtarinë e tij të gjerë gjatë periudhës krijuese 1950-1990 është nderuar me dy tituj "Skulptor i merituar" dhe "Skulptor i popullit". Gjithashtu ai është nderuar me disa urdhra, dekorata, dhe ka fituar disa çmime gjatë kësaj periudhe. Ai është nderuar për punimet "Heronjtë e vigut", "Enver Hoxha", Skulptori Shaban Hadëri ka realizuar edhe në gjininë e grafikës dhe pikturës me punimet me vaj. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve Tiranë, ruhen 27 punime të Hadërit. Në një intervistë të kohëve të fundit autori shprehet për dy veprat që krijoi në Shkodër, "Heronjtë e Vigut" dhe "Isa Boletini".

Skulptori për "Isa Boletinin": "Një tjetër vepër gjigande kjo. Kjo është vendosur në Shkodër në një rrugë tjetër të këtij qyteti. Lartësia është 6 metër. Dy nga veprat e mia nga më të bukurat janë në Shkodër. Unë aty kam kaluar pjesën më të bukur të jetës.

U bëra si shkodran. Aty sikur më vinte një frymëzim i veçantë. Sikur Buna ma ledhatonte daltën dhe mendimin për vepra sa më dinjitoze. Shkodra më dha shumë në profesion. Shumë. Aty mora atë tharmin për të qenë selektiv në vetvete, për të kërkuar më shumë ndaj vetes, për të respektuar më shumë profesionin."

Për "Pesë heronjtë e Vigut": "Mos. Mos! 1000 herë mos! Mos e hiqni atë skulpturë, përmendore vigane. Ajo nuk më përket mua. Ajo i përket qytetit me kulturë të Shkodrës. Ajo skulpturë është pjesë e historisë së saj. Pjesë e arkitekturës së saj. Ajo tashmë është bërë një pjesë e trupit të Shkodrës. Afërsisht 40 vjet jetë. Gjysmë shekulli mes njerëzve, popullit të Shkodrës".

m.s/NOA

KOMENTE