English

Kapot e shteteve të Ballkanit, ja pasuritë që posedojnë

Tiranë, 15 Janar NOA - Kur bëhet fjalë për pasurinë e tundshme dhe të patundshme të presidentëve të shteteve të krijuara nga ish-Jugosllavia, presidenti i ri kroat, Ivo Josipovic, ua kalon shumicës së liderëve. Ndonëse, nuk mbesin shumë prapa as liderët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, si Djordji Ivanov dhe Filip Vujanovic. Për Kosovën dhe Slloveninë s'ka të dhëna. Presidenti i Serbisë, Boris Tadic është i vetmi prej të gjithë shefave të shteteve të krijuara nga ish-Jugosllavia që nuk ka banesë ose shtëpi në pronësi, dhe për dallim nga shumica e liderëve ballkanik, ai madje s'ka as automobil të vetin.

Kartela pronësore e Tadic ka vetëm një pikë: kursime me vlerë 50,000 euro, të cilat ia dhanë prindërit pas shitjes së banesës së tyre, me qëllim që Tadic të blejë banesën e tij. Paratë janë ende në llogari, ngase bazuar në gjendjen aktuale të tregut të patundshmërive në Beograd, Presidenti serb vështirë që me to do të mund të blinte diçka më shumë se një garsonierë prej 22 metrash katrorë në lagjen Vracar, ose një banesë njëdhomëshe e gjysmë prej 50 metrash katror diku në periferi, si në lagjen e Zemunit Altina ose në Kaludjerica. Krahasuar me Tadicin, presidenti i sapozgjedhur kroat, Ivo Josipovic, është një rokfeller i vërtetë, dhe, gjykuar nga pasuria që ka lajmruar, ai pas vetes i lë të gjithë liderët e tjerë politikë nga hapësirat e ish-RSFJ. Aftësitë e tij prej kompozitori dhe juristi gjatë fazës parapresidenciale të jetës Josipovic duket se ka ditur si t'i shndërroj në para, ngase fitonte rreth 60,000 euro në vit. Bashkëshortja e tij, Tatjana, gjithashtu profesoreshë e drejtësisë, buxhetin familjar e plotësonte me deri në 137,000 euro në vit. Presidenti i ri kroat në bankë mbanë 300,000 euro, dhe mbi të gjitha, nuk ka asnjë problem sa i përket hapësirës së banimit. Çifti Josipovic posedon katër banesa të mëdha, dhe dy vetura, një Mazda 5 dhe një Opel Meriva. Me pasurinë e tij presidenti i Maqedonisë, Djordji Ivanov, mbetet paksa prapa presidenti kroat. Ai posedon tokë në Shkup, me vlerë 24,195 euro dhe një Toyota Corolla (2007) me vlerë 12,700 euro, ndërkohë që në llogari ka 31,145 euro dhe 204,222 denarë. Ivanov ka lajmëruar edhe rreth 54,800 euro, të fituara nga shitja e një banese. Ndërkaq, bashkëshortja e tij, Maja, është pronare e një banese në Shkup, vlera e të cilës është 80,000 euro. Nga ana tjetër, duket se as presidenti malazez, Filip Vujanovic, nuk ka mungesë hapësire për jetesë. Sipas kartelës së tij pronësore, ai posedon një vikend-shtëpizë në Sutomore dhe dy banesa në Podgoricë. Përveç rrogës mujore prej rreth 1,800 eurosh, Vujanovic nuk ka të ardhura tjera e as pronë të luajtshme. Për nga modestia e evidentuar më i afërmi me Tadic është kryesuesi i Kryesisë së BeH, Zeljko Komsic. Ai merr në muaj një rrogë prej 1,000 eurosh dhe ka një banesë në Sarajevë, që vlerësohet rreth 37,000 euro. Në kartelën e tij pronësore ka evidentuar se ka borxhe prej rreth 70,000 euro. Është interesant se, veç Kosovës, Sllovenia është shteti i vetëm i krijuar nga ish-RSFJ që nuk publikon të dhëna për pronën e lajmëruar të zyrtarëve të saj. Siç sqarojnë në Komisionin Antikorrupsion të Sllovenisë, presidenti i Sllovenisë, Danilo Tuerk, sikurse edhe të gjithë zyrtarët tjerë publikë, ka qenë i obliguar që ta lajmërojë kartelën e tij pronësore, por sipas ligjeve të këtij shteti, ajo nuk guxon të publikohet. /E, me burime nga Agjencitë/

KOMENTE