Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 15 janar NOA - Sa herë që ndodhin fatkeqësi natyrore, si tërmeti, zjarri apo së fundmi përmbytjet në Shkodër rikthehet debati nëse duhet të sigurohen shtëpitë, biznesi apo veprat e mëdha publike nga katastrofa.
Por raste të tilla fatkeqe nuk kanë pasur ndikim të ndjeshëm në ndërgjegjësimin qytetarë për të ndërmarrë veprime të tilla.
Për ekspertët e fushës, ka ardhur koha që të gjenden mënyrat për të vendosur me ligj sigurimin e detyrueshëm, duke marrë përgjegjësitë si qeveria edhe individi.
Një ligj i tillë do të bënte që zhdëmtimi i banorëve nga këto fatkeqësi të mos bëhet vetëm nga taksat dhe tatimet e shqiptarëve.
Sipas kreut të shoqatës së kompanive të sigurimit, Avni Ponari, qeveria mund të dalë në treg dhe të blejë eurobond, në mënyrë që të mbrojë veprat e mëdha publike nga fatkeqësitë natyrore. Por nga ana tjetër sipas Ponarit është e nevojshme që qeveria të gjejë mekanizmat për të vendosur me ligj sigurimin e detyrueshëm, pasi në këtë mënyrë përgjegjësitë do të ndaheshin.
Banka Botërore që në vitin 2002 ka mbështetur qeverinë në hartimin e një ligji të tillë sigurimi për Shqipërinë, por ato e kanë refuzuar deri më tani aprovimin e tij, për shkak të nivelit të jetesës.
Për aktoret e tregut të sigurimeve, në Shqipëri ofrohen të gjitha llojet e sigurimeve, por zgjedhja mbetet në dorë të qytetarit.
"Shifra mbetet simbolike, nga 10 deri në 50 euro në vit, në rast të sigurimit të shtëpisë nga katastrofa"- thotë Ponari, çka do të thotë se një pagesë e tillë mund të përballohet nga çdo familje.
Shqipëria mund të klasifikohet e fundit në rajon e më gjerë për sa i përket nivelit të sigurimit për frymë, shifra llogaritet në 15 euro në vit, ndërkohë që vendet fqinje shifra është gati pesë herë më të lartë.
r.l/NOA