Tiranë, 15 Janar NOA - Kryqi i Kuq Shqiptar dhuron 15.000 dollarë amerikanë për viktimat e tërmetit në Haiti duke mbështetur në këtë mënyrë, apelin e ndihmës të lëshuar nga Federata Ndërkombëtare e shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe. Ky kontribut modest u deklarua nga Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar Prof.Dr.Shyqyri Subashi në një takim me Zëvendës Kryeministrin dhe Ministër të Punëve të Jashtme Ilir Meta.
Në takim u diskutua mbi situatën tragjike në Haiti pas tërmetit dhe mbi solidarizimin e popullit shqiptar me popullin haitian në këto ditë jashtëzakonisht të vështira për të.
Pikë tjetër diskutimi ishte edhe situata humanitare në vend. Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar e informoi Zëvendës Kryeministrin për angazhimin e shoqatës në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura në Shkodër dhe nënvizoi koordinimin me organet e pushtetit.
Meta e falënderoi Kryqin e Kuq Shqiptar për kontributin e tij në përballimin e pasojave të kësaj katastrofe si dhe për veprimtarinë humanitare të gjithanshme. Ai premtoi një mbështetje edhe më të madhe të organeve të pushtetit për shoqatën.
Ndërkohë operacioni i shpërndarjes së ndihmave në qarkun e Shkodrës për 2.200 familje të marra përsipër nga Kryqi i Kuq Shqiptar me ndihmën financiare të Federatës Ndërkombëtare të shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, ka vazhduar. Artur Katuci, Koordinator i Komunikimit në KKSH, tha për NOA se sot janë ndihmuar 100 familje në fshatin Kuç të Komunës Gur i Zi ndërsa për 52 familje të tjera të këtij fshati, shpërndarja do të vazhdojë edhe nesër.
v.l/NOA