English

Londër, policia në ndjekje të shqiptarëve

Policia e Londrës thotë se aktualisht po zhvillon hetime rreth një numri rastesh në të cilat janë të përfshirë shtetas shqiptarë qoftë si trafikantë apo viktima të trafikimit. Nga fundi i vitit të kaluar, media në Britani publikoi një foto në të cilën trafikantë shqiptarë në mes të ditës në rrugën kryesore të kryeqytetit britanik kryenin shitblerjen e një gruaje, viktimë nga Lituania.

Detektivi i Policisë Metropolitane Kevin Hyland flet për këtë argument dhe shumë të tjera në një intervistë me radion BBC që e gjeni më poshtë, të zbardhur të plotë:

Sa i madh është problemi i trafikimit të njerëzve në Londër?

Ashtu si e shohim ne, edhe një rast i trafikimit të njerëzve është shumë. Dukuria e trafikimit nuk është e pranishme kudo, pra njerëzit nuk duhet të mendojnë se duhet të frikësohen nga trafikimi në Londër, por është në masë të konsiderueshme dhe ne po fokusohemi në luftimin e saj. Pra siç e thashë edhe një rast i vetëm është shumë në Londër, por ka më shumë se një dhe aktualisht jemi duke identifikuar një numër mjaft të lartë të rasteve të trafikimit në Londër, prandaj është çështje serioze.

Serioze po, por në shifra si mund të përshkruhet?

Është shumë vështirë të thuhet një shifër për këtë. Aktualisht jemi duke bërë analiza me Ministrinë e Brendshme, në përpjekje për të identifikuar numrin dhe shifrat do të bëhen publike në të ardhmen e afërt prandaj do të ishte gabim nëse unë përpiqem t'ia qëlloj se çfarë janë ato shifra. Por do të thosha sa i përket Londrës, janë me qindra raste.

Krahasuar me kryeqytet e tjera evropiane, a është numri më i madh apo më i vogël?

Do të thosha mbase me kryeqytetet me madhësi të Londrës, me popullsi sa në Londër mbase është ngjashëm me rajonet e tjera. Është e qartë se Londra shihet si qytet me shumë mundësi dhe ka një numër rrjetesh që janë krijuar këtu. Mbase disa kriminelë janë vendosur këtu në ditët para anëtarësimit të shteteve të tjera në BE dhe është e qartë se ka pasur shumë përfitime financiare duke qenë në Londër, kështu që kjo mund të jetë arsye që mund të kemi një fraksion më shumë se sa zonat e tjera, por nuk mendoj se kemi në masë të konsiderueshme numër më të lartë se qytetet e tjera evropiane.

Dhe cilat janë masat që po merren për të luftuar trafikimin njerëzor?

Në Londër jemi duke zhvilluar një ekip të ri që do të fokusohet vetëm në trafikimin e njerëzve jo vetëm për shfrytëzim seksual por edhe për shërbim shtëpiak dhe punë krahu. Dhe kemi oficerë specialistë që janë të trajnuar për intervistimin e grave, burrave dhe fëmijëve që mund të jenë trafikuar; ata janë edhe specialistë në intervistimin e personave të dyshimtë dhe për mbledhjen e informatave në mënyrë sekrete. Pra do të ketë survejim dhe shumë lloje të ndryshme të tjera të mjeteve në përpjekje për të mbledhur prova kundër atyre që i kryejnë ato shkelje.

Nga fundi i vitit të kaluar, në media ishte një fotografi e disa trafikantëve shqiptarë duke bërë shitblerjen e një femre në qendër të Londrës, në Oxford Street. Sa të përfshirë janë shqiptarët në trafikim të njerëzve këtu në Londër?

Ne marrim informacione të shërbimit të zbulimit, kemi hetuar dhe aktualisht jemi duke zhvilluar hetime rreth një numri rastesh në të cilat janë të përfshirë shtetas shqiptarë qoftë si trafikantë apo viktima të trafikimit. Mendoj se rasti të cilin ju e përmendni - në Oxford Street - është shume alarmues, ndonëse nuk është unik. Aty në atë fotografi shihej një shtetas shqiptar që shiste një grua e cila ishte trafikuar nga Lituania. Është gjë e tmerrshme që personat që i drejtojnë këta zinxhirë të trafikimit i trajtojnë gratë thjesht si mall; e bëjnë këtë si shitblerje të drogës apo kafshëve, apo të çfarëdo malli tjetër. Dhe mendoj se ajo fotografi ishte një shembull shumë i mirë që tregonte se sa e keqe është kjo tregti; që njihet edhe si skllavëri moderne dhe mendoj se ajo fotografi vërtetë e tregonte këtë.

Duke qenë se viktima në këtë rast nuk ishte shqiptare, mbase ka pasur bashkëpunim mes shqiptarëve dhe kriminelëve me përkatësi tjetër kombëtare?

Mendoj se keni plotësisht të drejtë. Këto grupe, sidomos brenda Evropës Lindore dhe Ballkanit, kanë punuar me vite të tëra qoftë në trafikimin e njerëzve apo vepra të tjera kriminale, kanë rrjetet e tyre, kontaktet e tyre, dhe lëvizin - në këtë rast në fjalë gra, por mund të jenë edhe meshkuj, dhe shpesh mund të jenë fëmijë - i lëvizin si mall dhe i kanë rrjetet e tyre të krijuara. Pra persona në Shqipëri mund të kenë kontakte në Lituani, Poloni apo shtete të tjera. Shpesh kemi të bëjmë me gra që janë trafikuar nga Azia juglindore, kohët e fundit kishim një rast ku disa gra ishin trafikuar nga Tajlanda. Ata kishin rrjete në Malajzi...

A kishte shqiptarë të përfshirë në këtë rast?

Jo nuk kishte shqiptarë të përfshirë në këtë rast por kishte evropianë të përfshirë në këtë. Në Belgjikë, dhe në Britani të madhe dhe personi që kishte organizuar këtë ishte kinez. Pra kjo tregon për rrjetet ndërkombëtare që ekzistojnë.

I kthehemi përsëri asaj fotografie nga Oxford Street-i. Ishte fotografi nga një rast prej para disa vitesh apo jo?

Ai rast ishte para dy vjetësh. Ishte një grup shqiptarësh, disa prej të cilëve u dënuan me nga tetëmbëdhjetë vjet burg për veprat e tyre. Kjo është shumë e pazakonshme sepse dënimi maksimal për trafikim të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual është 14 vjet burgim. Gjyqtari në fakt u dha atyre nga 14 vjet dhe më pas u shtoi edhe nga katër vjet të tjera për shkak se kishte edhe shkelje të tjera si për shembull, njëra prej grave të përfshira në fillim ishte gjashtëmbëdhjetë vjeçe, e mitur, pastaj për kontrollim të prostitucionit për qëllim fitimi, edhe kjo dënohet me 14 vjet burgim. Sipas ligjit britanik, gjykatësit mund të ndajnë dënimet ose ato të vihen në të njëjtën kohë ose - nëse mendojnë për rrethana të jashtëzakonshme - njëra pas tjetrës, dhe në këtë rast ata i bënë dënimet konsekutive.

Përse u zgjodh ajo fotografi nga Oxford Street-i për të theksuar seriozitetin e çështjes?

Ajo ishte një nga fotografitë dhe video xhirimet e shumta të bëra gjatë operacionit të survejimit. Dhe kishim regjistrime të grave që dërgoheshin nëpër vende të ndryshme nëpër Londër dhe vende të tjera në Britani. Por vërtetë ajo që tregonte fotografia ishte se Londra është qytet i madh, i pasur, rruga kryesore Oxford Street është pjesë shumë e frekuentuar e Londrës dhe kushdo që jeton në Britani të Madhe apo kushdo që e njeh Londrën do të ketë dëgjuar për Oxford Street-in si rrugë kryesore me dyqane në Londër. Dhe në atë rrugë ka kriminelë, që shesin gra për skllavëri seksuale.

Por a nuk tregon kjo diçka edhe për efikasitetin e policisë së Londrës, nëse gjëra të tilla ndodhin në rrugën kryesore në Londër?

Po tregon. Sepse ne ishim aty duke i vëzhguar ata dhe i arrestuam ata persona e i dërguam në burg. Tregon për efikasitetin tonë se do t'i zëmë personat që bëjnë gjëra të tilla.

Dhe kjo është pjesë e një fushate për të shtuar vetdijen kundër trafikimit?

Po. Në fakt nuk është fushatë por jemi duke krijuar një njësit të ri, më të madh, në kuadër të Policisë Metropolitane, për Londrën. Në këto momente, anekënd vendit në forcat e policisë po zhvillohen trajnime të cilat do të rrisin njohuritë mbi trafikimin. Ajo që duam t'u themi atyre që duan të përfshihen në këtë veprimtari kriminale, është se do ta kenë më vështirë që të trafikojnë njerëz në Britani të Madhe. Shanset për kapjen e tyre rriten, dhe t'i shikojnë dënimet që po ndahen nga gjykatat sepse nuk do të tolerohen. Përveç kësaj, kemi një sistem të ri që filloi të përdoret vitin e kaluar - Mekanizmi Nacional i Referimit - i cili ofron mbështetje për viktimat në mënyrë që të mund t'u ofrohet ndihmë e specialistëve, këshillim, ndihmë mjekësore që u duhet, dhe ndihmë financiare dhe me ndonjë çështje imigracioni që mund të kenë nevojë.

Në kuadër të kësaj ka pasur vizita në vendet e origjinës, për të rritur ndërgjegjësimin në mesin e viktimave potenciale atje?

Po ashtu është. Kohët e fundit kemi zhvilluar vizita në Tajlandë, kemi pasur lidhje me Rumaninë dhe po ashtu bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet shqiptare përmes ambasadës në Londër. Kemi lidhje shumë të mira me policinë shqiptare të cilët janë shumë të interesuar për të na ndihmuar për të edukuar njerëzit në Shqipëri, që të bëjmë përpjekje t'i ndërgjegjësojmë njerëzit se çfarë të kërkojnë për faktin se nuk është e thënë se vetëm ndonjë person i caktuar merret në shënjestër - ai mund të jetë mashkull, femër, person i mitur apo i rritur. Dhe mund të jetë dikush që mund të duket se është mik i juaji. Në rastet me të cilat kemi pasur të bëjmë, shkelësit e ligjit kanë lidhur miqësi me viktimat me ditë, javë e muaj të tërë, para se të kalojnë në pikën kur i zhvendosin prej andej, nga atdheu i tyre dhe pastaj i fusin në Britani të Madhe. Dhe kur arrijnë në Britani të Madhe atëherë mund të fillojë detyrimi dhe dhuna, dhe mund të detyrohen të punojnë si punonjës seksit, apo të bëjnë punë të detyrueshme nëpër shtëpi, apo të tjera. Pra ka të bëjë me transmetimin e mesazhit njerëzve në vende të ndryshme dhe t'u thuhet se këtë duhet të kenë parasysh. Dhe kemi raste kur ndodh edhe anasjelltas: njerëzit trafikohen edhe nga Britania jashtë, pra duhet të rrisim ndërgjegjësimin edhe në mesin e njerëzve në vendin tonë.

A ka pasur ndonjë rast të trafikimit të ndonjë personi nga Britania për shembull në Shqipëri?

Nuk e di nëse Shqipëria është një prej rrugëve por ka pasur të dhëna për njerëz të trafikuar nga Britania e Madhe në vende të tjera të Evropës Lindore. Megjithatë nuk kemi pasur ndonjë ndjekje penale për ndonjë rast të tillë por jemi duke shqyrtuar informatat e tilla që i marrim.

Dhe bashkëpunimi juaj me policinë shqiptare, thatë se është në nivel me të cilin jeni të kënaqur, apo jo?

Po, sigurisht. Bashkëpunimi ynë me policinë shqiptare të vendosur këtu në Londër është i shkëlqyeshëm. Këtë tani po e avancojmë dhe shpresojmë se do të bëjmë punë edhe në Shqipëri me policinë atje. Kemi bashkëpunuar me ta në të kaluarën në operacione të mëparshme. Pra kur kërkojmë mbështetjen e tyre këtë e marrim.

Keni vërejtur ndonjë rritje apo rënie të aktivitetit kriminal në të cilin janë të përfshirë shqiptarët qoftë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia?

Do të thosha mbase në këtë moment, për shkak se është biznes mjaft i ri nuk kemi pasur shifra me të cilat do t'i krahasonim, por do të thosha se nuk ka pasur rënie dhe në këtë moment mbase jemi duke u marrë me më shume raste por nga ana tjetër ne jemi njësit i ri me më shumë mjete. Pra mund të jetë si rezultat i kësaj që jemi më të mirë në gjetjen e viktimave. Pra nëse ka ndonjë rritje, mbase është si rezultat i procedurave më të mira të raportimit derisa para pesë vitesh nuk ka pasur fare procedura të tilla.

FUND

KOMENTE