Tiranë, 15 Janar NOA - Ministria e Punëve të Jashtme tha sot se përshëndet nënshkrimin e aktit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe e konsideron atë si një hap të rëndësishëm, dhe një mesazh shumë të qartë për paqen, stabilitetin dhe progresin në rajonin tonë.
Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson gjithashtu, se një hap i tillë do t'i kontribuojë besimit më të mirë reciprok dhe do të nxisë respektin e ndërsjellë midis këtyre dy vendeve fqinje, në interes të të mirës së përbashkët, forcimit të stabilitetit rajonal, dhe në realizimin e shpejtë të qëllimeve të përbashkëta evropiane e euroatlantike.
Ministria e Punëve të Jashtme thotë se është e bindur se vendosja e marrëdhënieve diplomatike të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit është dëshmi e përparimit të saj në ndërtimin e shoqërisë demokratike dhe të shtetit ligjor, si dhe shprehje e mentalitetit të ri të rajonit tonë, i orientuar drejt së ardhmes së përbashkët euroatlantike.