English

Ndihmat dhe diferencimi politik

Tri ambasadorët më të rëndësishëm të Perëndimit në Shqipëri të shoqëruar nga Presidenti Bamir Topi vizituan sot zonën e prekur nga fatkeqësia e përmbytjes në veri të vendit, duke inkurajuar banorët dhe strukturat e qeverisë të punojnë së bashku për të tejkaluar pasojat e katastrofës. Të tri ambasadorët, ai amerikan, i bashkimit evropian dhe i Spanjës që merr kryesinë e radhës së BE, u shprehën se po shikojnë planet e tyre për të ndihmuar zonat në nevojë

Mero Baze*

Prania e tri ambasadorëve më të rëndësishëm të perëndimit në Shkodër në shoqërinë e Presidentit Bamir Topi, është një sinjal pozitiv se Perëndimi po shikon mundësinë të ndihmojë zonat e dëmtuara nga fatkeqësia.

Të tri ambasadorët e perëndimit e shprehën qartë këtë solidaritet. Por përtej kortezisë së solidaritetit, vendet perëndimore kanë nevojë të prekin me dorë institucione të besueshme shtetërore, me të cilat mund të bashkëpunohet për ndihmat financiare dhe materiale për këtë situatë. Këtu mund të fillojnë dhe problemet.

Deri më tani në gjithë zonën e përmbytur nuk kemi ende një institucion të centralizuar shtetëror që të ketë përpara një plan veprimi për banorët në nevojë, t'i ketë ata të gjithë të identifikuar dhe të funksionojë duke e pasur situatën nën kontroll.

Media ka raportuar raste gati qesharake, kur Ministri Basha apo zyrtarë të tjerë të lartë, urdhërojnë me telefon në mënyrë spontane dhe pa asnjë plan shpërndarjen e ndihmave. Kemi qindra mesazhe nga qytetarë që ankohen se ndihmat po vidhen dhe shpërdorohen nga mashtrues që përfitojnë nga paaftësia dhe çorganizimi i strukturave shtetërore.

Ka denoncime konkrete me mijëra për persona kontakte me backround të dyshimtë dhe me qëndrime selektive dhe nga pikëpamja politike për ndihmat. Të gjitha këto probleme, janë një dënim i ri për ata banorë.

Nëse qeveria nuk demonstron besueshmëri të lartë te vendet perëndimore dhe nëse ajo nuk arrin ti bindë ambasadorët e Perëndimit se çdo ndihmë e dërguar prej tyre, si financiare, ashtu edhe materiale do të shkojë njësoj te çdo banor dhe nuk do të shpërdorohet, atëherë solidariteti ka për të mbetur në letër.

Mënyra se si qeveria do të menaxhojë këtë situatë dhe besueshmëria që do të krijojnë strukturat e saj, janë vendimtare për të pasur një sukses në thithjen e ndihmave dhe në çuarjen e tyre pranë qytetarëve.

Problemet që kanë shoqëruar deri më sot këtë proces janë të shumanshme, por mbi të gjitha është shfaqur problemi i moskoordinimit dhe mungesës së një rrjeti të koordinuar të shpërndarjes, gjë që bën që shpesh banorët të irritohen nga mënyra se si ata trajtohen.

Jemi ende herët të themi se ka korrupsion nga strukturat shtetërore, por është e sigurt se konfuzioni me të cilin po zhvillohet procesi po sjell korrupsionin në nivele të ulëta, në shpërndarjen në bazë dhe në mungesën e eficencës së operacionit humanitar.

Tashmë që mund të konsiderohet se po kalojmë në një fazë të re të emergjencës, në atë të riparimit të pasojave, një imazh i tillë i strukturave të qeverisë në aspektin e ndihmës humanitare, mund të frenojë solidaritetin me viktimat dhe mund të përkeqësojë kushtet e tyre.

Ambasadorët më të rëndësishëm të Perëndimit kanë shkuar pranë banorëve të shoqëruar nga Presidenti Topi, mes të tjerash dhe të dëshmuar barazdistancën e tyre nga qeveria dhe opozita që po përpiqen ta politizojnë procesin e shpërndarjes së ndihmave.

Ata që duan realisht të ndihmohen banorët në nevojë, duhet së pari të ngjallin besim te banorët dhe më pas ky besim të përcillet te donatorët dhe njerëzit që po solidarizohen me viktimat e kësaj katastrofe.

Nëse strukturat e shtetit vazhdojnë të punojnë si deri më sot, në mënyrë kaotike, jo transparente, dhe shpeshherë me diferencime të qarta politike, atëherë do të ketë gjithnjë e më pak ndihma dhe solidaritet për këtë operacion humanitar. Dhe kjo është një përgjegjësi e re e qeverisë.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE