English

Ndihmat "pushtojnë" Haitin, gjendja pas tërmetit vazhdon të jetë katastrofale

Porto Prince, 15 janar, NOA - Avionët e ndihmave kanë tejmbushur aeroportin kryesor të Haitit me dërgesat e para nga vendet e botës për vendin që u godit para dy ditësh nga një tërmet fatal.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon tha se nevojat imediate të haitianëve janë furnizimet me ilaçe, ushqime, ujë, tenda si dhe pajisje të kërkimit, e pikërisht të tilla kanë nisur të dërgohen drejt këtij vendi.

Ndërkaq, edhe gati dy ditë pas tërmetit shkatërrimtar në Haiti gjendja është kaotike dhe e gjithë përmasa e katastrofës është akoma e paqartë.

Ndërsa vlerësimet e para flasin për gati 100 mijë viktima, rrugëve të Haitit numërohen ende dhjetëra kufoma.

Për të plagosurit e panumërt nuk ka ndihmë mjekësore, ndërsa uji i pijshëm dhe ushqimet janë të pakta. Meqenëse mungojnë makineritë e duhura, kërkimi i të mbuluarve nga rrënojat ecën shumë ngadalë.

Sipas Kryqit të Kuq, tri milionë vetë kanë nevojë për ndihmë urgjente.

Në garë me kohën ndihmësit përpiqen të arrijnë në zonën e tërmetit përmes Republikës Dominikane fqinje.

n.e/NOA

KOMENTE