Njoftim nga Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra e Torinos organizon ditën e Shtunë, datë 16 Janar 2010, ora 15.00, në Circolo dei Lettori në Palazzo Granieri della Roccia, Via Bogino, 9, Torino, në konferencën arkeologjike 'Alla scoperta dell'antica Illiria' ('Në gjurmët e Ilirisë së lashtë').
Takimi është konceptuar si një udhëtim i ilustruar arkeologjik nëpër tokën Shqiptare, gjatë të cilit pjesëmarrësit do të njihen me qendrat kryesore të zbuluara të Ilirisë, si edhe me pasuritë që ato përmbajnë.
I ftuari kryesor i takimit është eksperti i shquar i kësaj fushe, arkeologu i mirënjohur shqiptar, profesor Neritan Ceka.
Në takim do të marrin pjesë gjithashtu edhe Sandro Caranzano (arkeolog), Chiara de Filippis (historiane dhe profesore e Universitetit të Torinos) dhe Benko Gjata (gazetar, korrespondent i akredituar i ATSH-së në Itali).
Kjo veprimtari zhvillohet në kuadër të projektit 'Festivali i Kulturës Shqiptare'. I ideuar nga Shoqata Vatra dhe i realizuar me mbështetjen e Rajonit të Piemontit, projekti parashikon zhvillimin e veprimtarive që synojnë promovimin dhe vlerësimin e pasurisë historike, artistike, kulturore dhe letrare të popullit Shqiptar.
Takimi është realizuar me bashkëpunimin e F.I.A.P., Federata e Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbereshe të Piemontit, dhe të Zyrës së Përfaqësimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Torino.
Hyrja në takim është e lirë.
Neritan Ceka
Neritan Ceka, biri i arkeologut të parë shqiptar Hasan Ceka, u interesua për arkeologjinë që fëmijë, kur shoqëronte të atin në ekspeditat arkeologjike të Apollonisë. Pas mbarimit të studimeve në Universitetin e Tiranës në vitin 1962, ai iu kushtua plotësisht kërkimeve arkeologjike. Në vitet 1963-1964 gërmoi kështjellën ilire të Rosujës në Tropojë; në vitin 1969 zbuloi varrin e pasur të Selcës së Poshtme dhe po atë vit filloi gërmimet disavjeçare në Belsh. Tërheqjen më të fortë e pati drejt qytetit të madh të Bylisit. Atje drejtoi ekspeditat në vitet 1978-1991, duke zbuluar teatrin, stadiumin, shëtitoret, gjimnazin dhe disa nga hyrjet dhe kullat e fortifikimeve të qytetit ilir. Në vitet 1992-1994 drejtoi ekspeditën e përbashkët shqiptaro-franceze në Apolloni, si dhe gërmimet në Butrint, ku u rikthye përsëri dy vitet e fundit.
Që nga viti 1985 jep leksionet e Arkeologjisë Klasike në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës dhe është bashkautor i librit 'Arkeologjia: Greqia, Roma, Iliria'. Ka dhënë leksione dhe konferenca shkencore në Gjermani, Angli, Itali, Francë, Austri, SHBA dhe në vende të tjera. Ka shkruar librin shkencor 'Qyteti ilir pranë Selcës së Poshtme' (1985), si edhe një numër të madh artikujsh shkencorë mbi kërkimet e tij arkeologjike. Për publikun e gjerë ka shkruar librat: Apollonia e Ilirisë, Apollonia, Butroti, Bylisi (me bashkëautor), të cilët janë përkthyer në anglisht, gjermanisht dhe italisht.
Neritan Ceka është antar i Këshillit Shkencor në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, antar i Institutit të Arkeologjisë në Berlin dhe i Institutit Koldeëay Gesellschaft në Gjermani. Që nga viti 1991 është zgjedhur disa herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra
Vatra është themeluar në Torino në vitin 2002 me nismën e një grupi qytetarësh Shqiptarë dhe Italjanë. Ajo zhvillon veprimtari të cilat kanë për qëllim integrimin sa më të mirë e më të shpejtë të qytetarëve Shqiptarë në shoqërinë Italjane, duke vlerësuar njëkohësisht identitetin kulturor të bashkësisë.
Falë veprimtarisë së saj të dendur kulturore dhe institucionale, Torino është shndërruar këto vitet e fundit në një nga qëndrat më mikpritëse ndaj artit dhe kulturës Shqiptare në Europë.
Zyra e Përfaqësimit e Dhomës së Tregtisë së Tiranës në Torino
Zyra e Përfaqësimit për Komunikim dhe Biznes në Torino është një filial i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Ajo ka si objektiv kryesor përmirësimin dhe intensifikimin e marrdhënieve ekonomike mes biznesit Italian dhe atij Shqiptar.
E vendosur në një nga zonat më prestigjioze të qytetit të Torinos, Zyra ju ofron sipërmarrjeve Italjane informacion të azhornuar dhe të detajuar rreth mundësive për ata që dëshirojnë të investojnë në Shqipëri. Ajo mbështet konkretisht të gjithë ata që hyjnë në kontakt për herë të parë me realitetin ekonomik Shqiptar.
Struktura e Zyrës u përurua në datën 17 Tetor 2008 në praninë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Bamir Topi dhe të Prefektit të Torinos Paolo Padoin.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë edhe Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Profesor Gjokë Uldedaj, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Romë Llesh Kola, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Vladimir Kristo, një delegacion deputetësh të Parlamentit Shqiptar, përfaqësues të shumtë të institucioneve dhe mediave lokale, si edhe një përfaqësi e madhe sipërmarrësish Shqiptarë dhe Italjanë.