Tiranë, 15 janar NOA - Në përgjigje të situatës së emergjencës krijuar nga përmbytjet në veri të Shqipërisë, Ambasada e SHBA-së deklaroi sot se do të dhurojë 50,000 dollarë si ndihmë emergjence për të mbështetur ata që janë prekur më shumë.
Fondet do t'i përcillen Kryqit të Kuq Shqiptar, i cili aktualisht po punon për të ofruar ndihmë për rreth 5,000 banorë në veri të vendit.
Së bashku me Ambasadorin Lohan të Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Presidencës së Radhës së BE, Ambasadorin Montobio, Ambasadori Uidhers vizitoi zonën e përmbytur më 14 janar, me ftesë të Presidentit Bamir Topi.
Ambasadori u shpreh se kjo fazë e parë ndihme do të pasohet nga një fazë e dytë që do të përqendrohet mbi rimëkëmbjen dhe rehabilitimin.
Në përgjigje të përmbytjeve, Ambasada gjithashtu po këshillohet ngushtë me qeverinë shqiptare dhe po bashkërendon me bashkësinë ndërkombëtare, jo vetëm mbi mënyrën për t'iu përgjigjur nevojave të menjëhershme të popullsisë së prekur, por edhe mbi kthimin eventual të banorëve në bashkësitë e tyre si dhe nevojën për përpjekje drejt rindërtimit dhe rimëkëmbjes.
Gjatë vizitës së tij në zonat e përmbytura, Ambasadori Uidhers u takua me zyrtarë që drejtojnë dhe kryejnë operacione ndihme, si edhe me familje të prekura nga përmbytjet. Ambasadori Uidhers tha se kjo vizitë kishte ofruar një pamje nga afër të ndikimit të përmbytjeve dhe sfidave që gjenden përballë personave, familjet, banesat, bizneset, dhe bagëtitë e të cilëve janë prekur nga përmbytjet, "Ne mundëm të takoheshim me shumë njerëz, jetët e të cilëve janë tronditur në rrjedhën e tyre normale, dhe vizita më ndihmoi të kuptoj shumë më mirë se me çfarë përballen familjet ndërkohë që u detyruan të evakuoheshin."
Ambasadori vlerësoi përpjekjet për ndihmë dhe mbështetje të menjëhershme që ofrohet nga qeveritë qendrore dhe vendore, OJQ-të, bashkësia ndërkombëtare, si dhe shumë të tjerë të përfshirë në përpjekjet e ndihmës. "Admiroj forcën dhe qëndrueshmërinë e atyre që janë prekur drejtpërdrejt dhe përgëzoj përpjekjet e shumta të shkëlqyera të shqiptarëve që po punojnë për të mbështetur ata që kanë nevoja urgjente tani," tha Ambasadori Uidhers.
k.k/NOA