English

Përmbytjet, Gjermeni: Qeveria po tallet me viktimat e katastrofës

Tiranë, 15 janar NOA - Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni u shpreh sot para mediave se deklarata e qeverisë për të futur banorët e zonave të përmbytura në Shkodër në skemën e ndihmës ekonomike për familjet e varfra është një tallje që po u bëhet viktimave të kësaj katastrofe.

"Dje qeveria shqiptare bëri të ditur se familjet e përmbytura në Shkodër do të futen në skemën e ndihmës ekonomike për familjet e varfra duke marrë kësisoj 7500 lekë të reja në muaj për familje. Kështu pasi u shkatërroi shtëpi e katandi si pasojë e korrupsionit dhe paaftësisë në menaxhimin e kaskadës së Drinit, qeveria tashmë ka vendosur të tallet më viktimat e kësaj katastrofe, duke i futur ata në listën e familjeve të varfra.

Partia Socialiste deklaron se është e papranueshme që të trajtohen në këtë mënyrë të mbi 2000 familjet e dëmtuara si pasojë e një katastrofe që nuk është natyrore por e shkaktuar nga dora e njeriut" tha Gjermeni.

Sipas saj, këto familje nuk janë thjesht dhe vetëm familje të varfra. Këto familje si pasojë e katastrofës të shkaktuar nga Berisha janë familje që sot kanë nevojë parësore mbijetesën.

"Të gjitha këto familje humbën shtëpitë, pronat e bagëtitë, pra humbën burimin e jetesës. Këto nuk janë thjesht familje të varfra por janë familje që gjenden në mes të një emergjence, në kushte tejmase të vështira dhe të veçanta. Ndaj është emergjente dhënia e asistencës financiare me para në dorë për të siguruar mbijetesën e përditshme të tyre.

Në emër të Partisë Socialiste i bëj thirrje qeverisë që të mos sillet me këta banorë që po vuajnë pasojat e korrupsionit dhe paaftësisë së saj siç u soll me viktimat e zullumit tjetër të Sali Berishës në Gërdec, por të marrë masa serioze e adekuate për të përmirësuar situatën e rëndë në të cilën ndodhen. duke akorduar në mënyrë urgjente një Fond Asistence Ekonomike të veçantë për banorët e dëmtuar" përfundoi Gjermeni.

k.k/NOA

KOMENTE