Tiranë, 15 Janar NOA - Pak ditë pasi Kryqi i Kuq Shqiptar (KKSH) filloi operacionin e shpërndarjes së ndihmave në qarkun e Shkodrës për 2.200 familje të prekura nga përmbytjet, operacion i mundësuar prej ndihmës financiare të Federatës Ndërkombëtare të shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe, konkretizohen marrëveshje të reja me donatorë të tjerë. Në këtë mënyrë
Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhuron nëpërmjet USAID, 50.000 USD; Qeveria e Republikës Popullore të Kinës dhuron nëpërmjet Kryqit të Kuq Kinez, 30.000 USD; Kompania e telefonisë celulare VODAFONE dhuron 3.800.000 lekë.
Ndërkohë, Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhuron pako ushqimore dhe medikamente në një vlerë prej rreth 14.000 U$D.
Pikërisht nga ndihmat e Gjysmëhënës së Kuqe Turke u shpërndanë sot pako ushqimore për 50 familje të lagjes Livadhe të qytetit të Shkodrës.
Mësohet se nesër operacioni i shpërndarjes së ndihmave do të vazhdojë në fshatrat Kuc dhe Vukatan të Komunës Gur i Zi.
"Kryqi i Kuq Shqiptar shpreh mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e donatorëve që kontributin e tyre për zbutjen e pasojave të shkaktuara nga katastrofa, e materializojnë nëpërmjet bashkëpunimit me Kryqin e Kuq Shqiptar", - tha në një reagim publik, Artur Katuci, Koordinator i Komunikimit në KKSH.
e.l/NOA