English

PS: Letra e Topallit, kërcënim antikushtetues, s'ka kthim në Kuvend pa u hapur kutitë

Tiranë, 15 janar NOA Update - "Jozefina Topallit t'i vijë turp që përdor postin për të bërë diversion duke vazhduar gjahun e Sali Berishës për të joshur apo për të bërë presion mbi deputetët socialistë, përmes kësaj letre që nuk është asgjë tjetër veçse një kërcënim antikushtetues".

Kështu e ka nisur deklaratën deputeti socialist Saimir Tahiri sonte, pasi në emër të opozitës kërkoi nga Sali Berisha ta harrojë se Partia Socialiste kthehet nga vendimi i saj mbi marrëdhënien e kushtëzuar me parlamentin.

"Sali Berisha ta harrojë se PS do pushojë së kërkuari deri në fund, hapjen e kutive dhe zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit.

Beteja e Partisë Socialiste është beteja e shqiptarëve për të shpëtuar nga pushteti i Sali Berishës, Jozefina Topallit dhe të gjithë atyre që çalojnë mendërisht kur flasin për Partinë Socialiste dhe mandatet e deputetëve të saj.

Nuk janë mandatet e deputetëve që rrezikojnë të digjen, por është mandati i qeverisë së Sali Berishës që do digjet si një mandat që ushtrohet në mënyrë ilegjitime" thuhej në deklaratën e PS-së.

"Fatkeqësinë që i shkaktuan banorëve të Veriut me babëzinë e tyre, nuk mund ta përdorin për të cenuar qoftë edhe një fije moralin dhe fuqinë e përpjekjes sonë të shpallur, për të rikthyer demokracinë në këtë vend, duke kërkuar transparencën dhe hetimin e plotë të zgjedhjeve, deri në fund dhe me çdo sakrificë.

Spekulimi me fatkeqësinë që u shkaktoi njerëzve të shkretë në veri për të bërë diversion ndaj opozitës, është ana tjetër e kësaj medaljeje të shëmtuar që i shtohet medaljeve për korrupsion, paaftësi klientelizëm, nepotizëm, dështim e plot të tjera që i qëndrojnë të varura në qafë Sali Berishës, Jozefina Topallit e maxhorancës së kthyer në çetë" përfundoi Imeraj.

k.k/NOA

KOMENTE