English

Rreziku nga epidemitë në Shkodër, komiteti diskuton masat

Tiranë, 15 janar NOA - Rreziku i përhapjes së epidemive në zonat e përmbytura ka thirrur në një mbledhje urgjente në Shkodër, komitetin ndërministror, i cili ka diskutuar për masat post emergjente që duhet të merren.

Nga Tirana është nisur të premten në mesditë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili së bashku me ekipin e specialistëve të shëndetësisë të cilët kanë hartuar draftin e masave për ndërhyrjen në zonat e përmbytura.

Ministri Vasili tha se drafti i masave që do të merren për situatën shëndetësore në zonat e përmbytura po diskutohet në komitet dhe me miratimin e tij do të nisë zbatimi në terren. Pika kryesore në këtë draft është shëndeti publik dhe masat që do të marrë ky dikaster si dhe aktorë të tjerë për të shmangur sëmundjet.

Përmirësimi i situatës së përmbytjeve në zonën e NënShkodrës nxjerr një tjetër problem që ka dalë ka të bëjë me rrezikun e përhapjes së epidemive për shkak të kafshëve të ngordhura dhe daljes në sipërfaqe të ujërave të zeza dhe përzierjes në shumë raste me ujërat e bardha.

Ndërkohë burime zyrtare nga ministria e Brendshme thonë se çdo ditë specialistët e shëndetit publik të qytetit të Shkodrës monitorojnë situatën epidemiologjike, klorinimin e ujit të pijshëm dhe dezinfektimin e gropave septike të cilat u bllokuan gjatë përmbytjeve duke nxjerrë në sipërfaqe ujërat e zeza.

b.m/NOA

KOMENTE