Tiranë, 15 janar NOA - Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, Philippe Le Houreou, pas një inspektimi në terren i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në zonat e përmbytura në Shkodër deklaroi se Banka Botërore e vlerëson mjaft efiçent menaxhimin nga ana e qeverisë të situatës së emergjencës civile në zonat e prekura nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës.
"Mora informacionin për situatën dhe mbështetja ime shkon së pari për njerëzit dhe bashkohem me banorët e prekur nga përmbytja. Gjithashtu u informova për situatën e emergjencës.
Isha shumë i gëzuar se nuk pati asnjë jetë të humbur.
Kjo flet për një menaxhim efiçent të situatës. Unë kam qenë në disa situata emergjente dhe është shumë e vështirë që në një hark të shkurtër kohor të koordinosh, të reagosh ndaj informacioneve. Të koordinosh është një detyrë shumë e vështirë. Dhe qeveria po koordinon në mënyrë shumë efiçente" u shpreh, Le Houreou.
Zv/presidenti i Bankës Botërore, Philippe Le Houreou shtoi në deklaratën e tij se ndërhyrja e Bankës Botërore fillimisht do të konsistojë në asistencën e një grupi ekspertësh për të vlerësuar dëmet e sektorit privat, qytetarëve, por edhe të aseteve publike.
Pas vlerësimit të kostos do të fillojmë punën për të rigjenuar dhe për të filluar përsëri aktivitetin rajonal ekonomik" deklaroi më tej Le Houreou.
Zv/presidenti Le Houreou bëri të ditur se Banka Botërore mund të ndërhyjë me projekte për riparimin e infrastrukturës dhe përforcimin e saj që fatkeqësi të tilla të mos përsëriten më.
k.k/NOA