English

Topalli i çon letër 64 deputetëve të opozitës, teksti i plotë

Tiranë, 15 Janar NOA - Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u ka dërguar nga një letër secilit prej 64 deputeteve të Partisë Socialiste duke i ftuar ata që të marrin pjesë në punimet e Kuvendit, por njëkohësisht edhe duke i kujtuar se përfundimisht, 6 marsi 2010 është afati i fundit i skadimit të mandateve të tyre dhe 4 marsi, shansi i fundit që ata të futen në parlament.

Fillimisht në letrën që Topalli u ka duruar secilit nga 64 deputetët e opozitës që qëndrojnë jashtë Parlamentit, evidentohet fakti se më 7 shtator 2009, u mblodh në seancën e parë të sesionit të parë, Kuvendi i Shqipërisë në Legjislaturën e 18-të.

Më tej Topalli kujton se në 17 seanca plenare u u miratuan 69 ligje dhe 20 vendime që i përkasin reformave të rëndësishme në fushën ekonomike dhe fiskale, çështjet sociale si dhe kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit në çështje të sigurisë dhe drejtësisë.

Topalli thekson faktin se Kuvendi i zhvilloi punimet pa praninë e opozitës dhe përmend se si kryetare e Kuvendit disa herë ka bërë thirrje që çdo deputet i zgjedhur duhet të zërë vend në Kuvend dhe të marrë pjesë në veprimtarinë e tij në përmbushje të detyrimit si përfaqësues i zgjedhësve.

Në këtë pikë, Topalli nis të citojë Kushtetutën e cila në nenin 71 pika 2 thotë se: Mandati i deputetit, mbaron ose është i pavlefshëm, kur ai nuk bën betimin, ose kur mungon pa arsye për gjashtë muaj rresht.

Në vijim të kësaj, Topalli thotë se më 6 mars, mbushen gjashtë muaj nga mbledhja e Kuvendit në Legjislaturën e 18-të dhe pohon se Kuvendi duhet të rimblidhet më 18 janar 2010.

Kurse rendit dhe datat e seancave parlamentare të mëtejshme deri më 6 mars, të cilat janë 18, 21, 28 Janar, 4, 11, 18, 25 shkurt dhe 4 mars 2010.

"Në këto rrethana ju njoftoj se në këto seanca plenare ju keni mundësinë që të ndërprisni bojkotin dhe të mos lejoni mbarimin e mandatit tuaj si për shkak të mosbërjes së betimit (neni 71, pika 2/a e Kushtetutës), ashtu edhe për shkak të mospjesëmarrjes në punimet e Kuvendit për gjashtë muaj rresht (neni 71, pika 2/d e Kushtetutës)", - fton kryeparlamentarja Topalli dhe përforcon: "Me këtë letër ju ftoj me dëshirën më të mirë që të merrni pjesë në punimet e Kuvendit dhe të përmbushni kështu detyrimet tuaja kushtetuese".

Në përmbyllje të letrës, Topalli thekson faktin se në seancën e parë të sesionit të dytë, që do të zhvillohet të Hënën ora 17.00, në rendin e ditës do të ketë debat mbi gjendjen e emergjencës civile në Shkodër.

v.l/NOA

KOMENTE