Prishtinë, 15 Janar NOA - Hulumtues të KMDLNj-së (Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut), vizituan Qendrën për Ndalim në Prishtinë ku edhe intervistuan 3 nga 6 të ndaluarit që ishin aty.
Asnjëri nga të intervistuarit nuk kishte vërejtje për sjelljen e policëve gjatë arrestimit dhe trajtimit që iu bëhet nga oficerët gjatë qëndrimit në këtë Qendër.
Në mesin e të intervistuarve ishte edhe i ndaluari Driton Hajdari i njohur nga "rasti Bllaca" i cili më 12 janar (tre ditë më parë) është arrestuar nga policia e EULEX-it.
As ky nuk pati asnjë vërejtje ndaj policëve që e arrestuan e as ndaj personelit tjetër zyrtar. Hulumtuesit e KMDLNj-së konstatuan se në asnjë rast të arrestimit nuk ka pasur shkelje të procedurës e as shkelje të të drejtave të njeriut.
Të gjithë të arrestuarit me kohë janë njoftuar me të drejtat e tyre andaj nuk kanë paraqitur asnjë ankesë.
KMDLNj siguron se edhe këtë vit do t'i monitorojë Qendrat e Ndalimit, Burgjet hetuese dhe Qendrat Korrektuese si dhe proceset gjyqësore që ndërlidhen me të drejtat e njeriut.
a.b/NOA