English

Ambasadori Ashan viziton Shkodrën, i shoqëruar nga bizneset turke

Shkodër, 16 Janar NOA - Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Hasan Sevilir AÅŸan (Ashan) vizitoi sot qytetin e Shkodrës për të parë nga afër zonat e prekura nga përmbytjet dhe për t'u njohur me mundësitë e ndihmës.

Ambasadori Ashan shoqërohej nga drejtues të korporatave dhe bizesve turke që operojnë në Shqipëri, si Çalik Holding, Eagle Mobile, Universiteti Epoka, Universal Hospital Tirana, Kolegjet Turke etj.

Po ashtu edhe drejtues të Zyrës së Koordinimit të Kryeministrisë Turke, TIKA ishin të pranishëm në këtë vizitë. Ashan u prit nga Prefekti i Shkodrës Maxhid Cungu dhe më pas nga kryetari i Bashkisë Lorenc Luka.

Në takimet e zhvilluara përfaqësuesi i Republikës Turke theksoi se që në momentet e para kur mësuan për fatkeqësinë kontaktuam menjëherë me qeverinë në Ankara dhe bizneset turke që operojnë në Shqipëri për t'u ardhur në ndihmë banorëve.

"Ne menjëherë koordinuam sjelljen e ndihmave me avion ushtarak nga Turqia si hap i parë. Ishin afërsisht 8 tonë ndihma në ushqime dhe medikamente" tha ai.

Ambasadori Turk shtoi se një grup mjekësh dhe infermierësh turq vizituan zonat e prekura nga përmbytjet duke ndihmuar banorët dhe aktualisht ende ndodhën në Shkodër.

Presidenti i Çalik Holding për Evropën Juglindore dhe Ballkanin Orhan Xhoshkun tha se "Korporata jonë ka reaguar menjëherë pasi u njoh me përparimin e përmbytjes. Jemi krenarë që kemi mundur të ndihmojmë në kohë banorët e qarkut të Shkodrës me 150 mijë Euro, 30 mijë nga të cilat janë dërguar në këtë zonë në formë ndihmash ushqimore dhe 120 mijë të tjera në të holla u derdhën në llogarinë e çelur për zonat e prekura" tha ai.

Ambasadori uroi që "përmbytja të mos ketë pasoja, por në rast se do të ketë probleme epidemish Universal Hospital Tirana do të angazhohet dhe do të japë kontribut për të ndihmuar në fushën mjekësore", - shtoi ai.

Drejtues të Universitetit Epoka, ekspertë në fushën e inxhinierisë së ndërtimit të pranishëm në këto takime, hodhën idenë në Bashkinë e Shkodrës për ndërtimin e një dige të dytë pranë Vaut të Dejës me qëllim parandalimin e fatkeqësive të tjera të këtij lloji.

Prefekti Cungu dhe kryebashkiaku Luka e falënderuan ambasadorin e Republikës Turke për ndihmën e dhënë për banorët dhe mbështetjen ndaj institucioneve të qarkut të Shkodrës. Po ashtu ata falënderuan korporatat dhe kompanitë turke për ndihëm e dhënë në këtë kohë të vështirë.

Ambasadori Turk, i shoqëruar nga biznesmenët, vizitoi bustin e heroit turko-shqiptar Hasan Riza Pasha, qendrën kulturore të TIKA-s si dhe Kolegjin turk "Hasan Riza Pasha" në Shkodër.

e.r/NOA

KOMENTE