English

Edi Rama në udhëkryq

Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli po përpiqet të provokojë një debat brenda opozitës me shpresën ta përçajë atë lidhur me qëndrimin ndaj parlamentit. Deputetëve socialistë u ka mbërritur sot një letër formale prej zonjës Topalli, që i fton ata të shkojnë në parlament dhe më pas i shantazhon për mundësinë e humbjes së mandatit të deputetit. Në emisionin e sotëm do të diskutojmë mbi shanset që ka opozita të përçahet nga kjo lëvizje e qeverisë, e cila shihet gjerësisht si një goditje për lidershipin e kësaj partie

Mero Baze*

Opozita shqiptare po përballet këtë fillim viti me një test të rëndësishëm, që mund të provojë realisht aftësinë e saj politike për të përfaqësuar votuesit e vet. Qeveria shqiptare po i përmbahet një skenari të qartë shantazhues, i cili synon të përçajë grupin parlamentar dhe të bëjë relativ qëndrimin e kryetarit të kësaj partie Edi Rama. Plani duket i qartë. Pesë deputetë socialistë, të cilët e kanë opsion të tyre futjen në Kuvend, shpresohet të inkurajohen për të hyrë në Kuvend prej qeverisë me premtimin se ata do të ndiqen nga të tjerë, të cilët do të shantazhohen me humbjen e mandatit të deputetit. E gjithë kjo ka filluar të eksportojë debatin brenda opozitës. Duke qenë se shumica e kandidatëve të opozitës vijnë nga shoqëria civile dhe jo nga përvoja politike, po vihen re shenja të përfshirjes naive në këtë debat.

Por çfarë mund të ndodhë realisht?

Së pari ky është një debat i prodhuar nga qeveria dhe jo debat që ka lindur nga opozita apo shoqëria opozitare. Askush në Partinë Socialiste nuk ka mandate nga votuesit e saj të vërë në diskutim qëndrimin ndaj parlamentit, i cili është votëbesuar jo vetëm në forumet e kësaj partie, por dhe në mbështetjen e fortë popullore që ka marrë lëvizja opozitare për qëndrimin larg parlamentit deri në hapjen e kutive. Duke mos qenë një debat i hapur nga opozita, por nga qeveria, ai nuk duhet konsideruar si temë dite për axhendën e opozitës. Së dyti, tendenca për ta deformuar qëndrimin e opozitës ndaj parlamentit, nga një qëndrim parimor në një qëndrim administrativ, është shumë i rrezikshëm dhe i ngjan qartazi skenarëve të demokracisë ruse, ku pushteti e ka opozitën një institucion buxhetor. 65 deputetët e opozitës, nuk janë 65 bordero rrogash dhe as 65 probleme sociale që mund të mbyllen me futjen në parlament. Futja e opozitës në parlament nuk mund të shitet për 65 rroga, pasi janë 650 mijë qytetarë të tjerë pas tyre, që janë të nëpërkëmbur dhe braktisur që nuk ka kush i mbron. Qëndrimi jashtë parlamentit nuk është çështje rrogash dhe as çështje mandatesh, por çështje parimore. Nëse opozita bie në kurthin e taktikave të hyrjes dhe daljes nga Kuvendi atëherë ajo është e papërgjegjshme. Kuvendi nuk është një vend pune dhe mandati nuk është një bordero rroge. Kush hyn në politikë me logjikë nëpunësi është mirë të largohet dhe të shkojë të bëjë atë punë që di të bëjë më mirë. Së fundmi, qëndrimi ndaj parlamentit është një çështje që ka ndarë lidershipin e Partisë Socialiste. Pas humbjes së zgjedhjeve, Edi Rama u vu para kritikash parimore, si përgjegjës për humbjen dhe rivali i tij kryesor Ben Blushi kërkoi dorëheqjen e tij, pranimin e rezultatit dhe hyrjen në Kuvend. Këtu socialistët u ndanë dhe Edi Rama u votëbesua si një lider, që duhet të merrte përsipër transparencën e zgjedhjeve dhe dhënien fund të historisë së vjedhjes së votave. Ky është një mision i pambaruar i Edi Ramës. Nëse socialistët vendosin të hyjnë në Kuvend, për rroga, për dieta, për makina, për teka të Topallit apo Berishës, a ku di unë për çfarë tjetër, Edi Rama duhet të votëbesohet si kryetar i Partisë Socialiste, pasi opsioni i tij ka humbur dhe rivali i tij Ben Blushi ka fituar. Nëse ky vendim i mundshëm arsyetohet nga vet socialistët ata para se të zgjedhin parlamentin e Topallit si vend ku do bëjnë politikë, duhet të rizgjedhin kryetarin e ri të tyre, që e ka propozuar këtë opsion që në Shtator dhe që ka kundërshtuar fortë për këtë çështje zotin Rama. Qëndrimi ndaj zgjedhjeve dhe ndaj parlamentit ishte një qëndrim që ndau platformën e Ramës nga ajo e Blushit. Qeveria po teston se kush është më i mbështetur nga socialistët në këto momente. Nëse hyhet në Kuvend, kryetar i asaj partie duhet të jetë Ben Blushi, nëse vazhdohet beteja duhet të jetë Edi Rama.

(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet janë personale

KOMENTE