Tiranë, 16 janar NOA - Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku ka ripërsëritur ato që më herët kanë deklaruar të tjerë deputetë të opozitës madje dhe vetë kreu i kësaj partie, Edi Rama se çdo përpjekje për të manipuluar provat që tregojnë të vërtetën e katastrofës që përmbyti Shkodrën, katastrofë kjo sipas tyre e shkaktuar nga dora e njeriut, është e dështuar.
"Çdo përpjekje për të manipuluar opinionin publik, se vërshimi i ujit që përmbyti veriun ishte një fatkeqësi natyrore që ndodh 1 herë në 100 vjet, është gjithashtu e dështuar.
Çdo përpjekje e dëshpëruar për të zhdukur provat, e të gjithë atyre që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj katastrofe, që me veprimet apo mosveprimet e tyre, lejuan përmbytjen e më shumë se 11 mijë hektar toke, sipërfaqe kjo 4 herë më e madhe se ajo mbi të cilën shtrihet qyteti i Tiranës, është plotësisht e dështuar.
Shqiptarët nesër do të mësojnë të vërtetën. Shqiptarët nesër do të mund të njihen me faktet, shifrat dhe evidencat që provojnë fajësinë e plotë të qeverisë shqiptare dhe të KESH-it për përmbytjen që shkaktoi tmerrin e mijëra familjeve shkodrane dhe ankthin e një populli të tërë për fatin e fatkeqëve" deklaroi Felaj.
Deputetja socialiste i bëri thirrje të gjithë shqiptarët, të ndjekin nesër, në orën 10.30, Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, për të mësuar të vërtetën e hidhur të kësaj katastrofe që tronditi Shqipërinë dhe la qindra familje shkodrane pa banesa, pa prodhim, pa bagëti, pa shpresë.
k.k/NOA