English

Fundjava përgjaket në Elbasan, dy të vdekur dhe 5 të plagosur

Elbasan, 16 Janar NOA - Dy aksidente ndodhën sot pasdite në Elbasan duke shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen në shkallë të ndryshme të gjashtë të tjerëve, informon korrespondenti i agjencisë NOA.

Viktimat janë Rexhep Kumria, 41 vjeç dhe Refat Dyrma, 70 vjeçar. Të plagosur kanë mbetur Esat dhe Avni Duraku, Osman Qosja, Eduart Dyrma dhe Sulejman Dëbrova.

Aksidenti i parë ndodhi në orën 18.00 në rrugën nacionale Elbasan - Cërrik, te vendi i quajtur "Pishat".

Një makinë me targa të Tiranës, 8444 L dhe një tjetër, me targa të Elbasanit, EL 2423 B, u përplasën mes tyre duke bërë që të gjejë vdekjen pasagjeri 70 vjeçar i njërës prej veturave, Refat Dyrma, banues në Elbasan.

Ndërkohë si rezultat i përplasjes, u plagosën rëndë dhe 38-vjeçari Eduard Dyrma si dhe bashkëmoshatari i tij Sulejman Dëbrova, nga i njëjti vendbanim.

Vetëm gjysmë ore më vonë, në aksin tjetër Elbasan - Librazhd, ka ndodhur një tjetër aksident i rëndë.

Atje, dy makina vetura me targa të huaja, janë përplasur me një kamion dhe më tej me një karrocë, gjatë kohës që po përshkonin aksin rrugor pranë fshatit Labinot - Fushë.

Si rezultat i aksidentit, dy veturat dolën nga rruga e po ashtu dhe karroca duke u pasuar me vdekjen e drejtuesit të mjetit me kalë, 41-vjeçarit nga Elbasani Rexhep Kumria dhe plagosjen rëndë të vëllezërve Avni dhe Esat Duraku përkatësisht 20 dhe 22 vjeç.

Për të dyja aksidentet, policia tha se është duke hetuar rrethanat e tyre dhe shkaqet e përplasjeve, por edhe përgjegjësinë e drejtuesve të mjeteve.

a.l/NOA

KOMENTE