Nga Blerina Ahmetaj
Tiranë, 16 janar NOA-Nëse të qëllon të lëvizësh me makinë përgjatë bulevardit "Zhan D'Ark, të sheh syri çdo ditë në kryqëzimin e tij me bulevardin e madh, një grua rome e cila mban në krahë një foshnjë.
Prapa saj rrinë dhe disa fëmijë të tjerë më të vegjël.
Kjo është Drita, e cila vjen nga Kombinati çdo ditë në orën 7 për të lypur në këtë aks aq shumë të rënduar nga trafiku i makinave.
Gruaja rreth të 40-tave ka lypur në këtë rrugë edhe kur ishte shtatzënë, duke rrezikuar madje dhe të përplaset mes rreshtit të makinave që ndalojnë në semafor.
Sot ajo vazhdon "profesionin" e saj me fëmijën e porsalindur të mbështjellë me disa rrobe të cilat duket qartë se nuk e ngrohin beben e pafajshme.
Pyetjes sonë se përse detyrohet të nxjerrë beben në rrugë, Drita i përgjigjet shkurt: Ku ta lë?
Gruaja tregon se burri i saj është një 40 vjeçar rom i papunë që të gjitha paratë i shpenzon për të blerë alkool.
"Kam një tufë fëmijë. Ne jemi dhe rracë pjellore. Të gjithë presin nga duart e mia", thotë Drita.
Por ky nuk është rasti i vetëm.
Gjatë vëzhgimit tonë në rrugët e Tiranës, konstatojmë plot shembuj të tillë të trishtueshëm.
Në këto ditë të ftohta janari, foshnja të lidhur me pelena e me buzë të mavijosura nga të ftohtët, përjetojnë çdo ditë ndonëse në mënyrë të pavetëdijshme bashkë me nënat e tyre, lodhjen e përbuzjen në shumë raste të drejtuesve të mjeteve, të cilët shohin me indiferentizëm këtë panoramë që serviret në rrugët e kryeqytetit.
Përgjatë bulevardit të madh apo në kryqëzimin pranë rrugës "Myslym Shyri", e njëjta pamje.
Në shumë raste, foshnjat i mbajnë në krahë motrat e tyre jo më shumë se 7 vjeç. E gjithë familja është e angazhuar të lypë, e vetmja rrugë sipas tyre për të nxjerrë bukën e gojës.
Kanë kaluar dy vjet që nga urdhri që lëshoi kryeministri Sali Berisha për të ndaluar fenomenin e lypjes, por duket se ato kanë rënë në vesh të shurdhër.
Lypësat jo vetëm që janë shtuar, por armatës së tyre po i shtohen dhe embrionet që në bark të nënave që ushtrojnë këtë "profesion".
Të dënuar pafajësisht për të vuajtur gjithë jetën e për të vazhduar sagën e dhimbshme të lypësit, pa shpresë, pa shpëtim.
b.a/NOA