English

Lavdi metamorfozës

E tëra duhet të rifillojë dhe e tëra tashmë ka rifilluar. Ekziston në botë një ferment i madh kreativ

Nga Edgar Morin

Kur një sistem nuk është i aftë t'i zgjidhë problemet vitale, degradohet, dezintegrohet, ose arrin të ngjallë një metasistem të aftë t'i zgjidhë: transformohet. Sistemi Tokë është i paaftë të organizohet për t'i zgjidhur problemet e veta vitale: rreziqet nukleare, degradimi i biosferës, ekonomia botërore pa rregulla, rikthimi i zive të bukës, konfliktet etno-politike-religjioze që priren të shndërrohen në përleshje qytetërimesh. Zmadhimi dhe përshpejtimi i të gjitha këtyre problemeve mund të konsiderohen si shpërthimi i një feedback-u të tmerrshëm negativ, përmes të cilit një sistem dezintegrohet në mënyrë të pandreqshme. Pra problemi është dezintegrimi. E pagjasa, por e mundshme, metamorfoza. Çka është metamorfoza? Gjejmë shembuj të pafundmë në mbretërinë e kafshëve. Vemja që kthehet në krizalidë fillon një proces shkatërrimi por edhe vetëndërtimi, sipas një organizimi dhe një forme - flutur - që nuk është vemje, sado që duke mbetur vemje. Lindja e jetës mund të merret me mend si metamorfoza e një organizimi fiziko-kimik që, me të arritur në pikën e ngimjes, ka krijuar meta-organizimin e gjallë që, me të njëjtat elemente fiziko-kimike, ka prodhuar cilësi të reja. Formimi i shoqërive historike në Lindjen e Mesme, në Indi, Kinë, Meksikë, Peru, konstituon një metamorfozë që, nisur nga një agregat i shoqërive arkaike prej gjuetarësh-mbledhësish, ka prodhuar qytetet, Shtetin, klasat shoqërore, specializimin e punës, religjionet e mëdha, arkitekturën, artet, letërsinë, filozofinë. Por edhe atë që është më e keqja: luftën, skllavërinë. Me shek. XXI shtrohet problemi i transformimit të shoqërive historike në një shoqëri-botë të tipit të ri, që do t'i përfshinte Shtetet-kombe pa i suprimuar. Sepse vijimi i historisë, do të thotë i luftës, nga ana e Shteteve që disponojnë me armë të asgjësimit, çon në gati-shkatërrimin e njerëzimit. Derisa për Fukuyama-n aftësitë krijuese të evolucionit njerëzor janë shterur me demokracinë përfaqësuese dhe ekonominë globale, duhet të mendojmë se, përkundrazi, është historia ajo që është shterur, jo aftësitë krijuese të njerëzimit. Ideja e transformimit, më e pasur se ajo e revolucionit, ruan karakterin e saj radikal, por e lidh me konservimin (e jetës, e trashëgimit të kulturave). Sot e tëra duhet të rimendohet. E tëra duhet të rifillojë. E në të vërtetë, e tëra ka rifilluar, pa e ditur ne. Jemi në stadin e fillimeve: modeste, të padukshme, margjinale, të shkapërderdhura. Ngase tashmë ekziston, në të gjitha kontinentet, një ferment krijues, një shumësi iniciativash lokale që shkojnë në drejtimin e rigjenerimit ekonomik ose shoqëror ose politik ose njohës ose edukativ ose etik ose të stileve të jetës. Këto iniciativa nuk njihen ndër vete, asnjë administratë nuk i zë në gojë, asnjë parti s'flet për to. Por ato janë vatra e së ardhmes. Bëhet fjalë për njohjen e këtyre udhëve të shumëfishta që do të mund të formojnë Udhën e re. Duhet sall të çlirohemi nga mendimi hegjemonik. Botërzim dhe de-botërzim, rritje dhe çrritje, zhvillim dhe mbështjellje. "Rritje/çrritje", për shembull, do të thotë se lypset të rriten shërbimet, energjitë e gjelbra, transportet publike, ekonomia solidare, agrikultura biologjike, por të çrritet intoksimi konsumistik, ushqimet industriale, prodhimi i sendeve përdor-e-gjuaj, trafiku automobilistik. "Zhvillim-mbështjellje" do të thotë se nuk është më objektiv zhvillimi i të mirave materiale, i efektivitetit, të ardhurave, por edhe rikthimi i madh në jetën e brendshme, në primatin e mirëkuptimit, dashurisë dhe miqësisë. Nuk mjafton më denoncimi. Tash duhet të parashtrojmë. Nuk mjafton ta kujtojmë emergjencën. Lipset të fillojmë t'i definojmë udhët që shpien tek Udha. Këtu kërkojmë të japim kontributin tonë. Cilat janë arsyet për të shpresuar? Le t'i formulojmë pesë sosh: 1. Shfaqja e të pagjasës. Ashtu siç rezistenca triumfuese e Athinës së vogël ndaj fuqisë së hatashme persiane, pesë shekuj para erës sonë, qe bukur e pagjasë dhe mundësoi lindjen e demokracisë dhe filozofisë, po aq e papritur qe ndalja e ofensivës gjermane në dyert e Moskës në vjeshtën e vitit 1941 dhe e pagjasë kundërofensiva e gjeneralit Zhukov, filluar më 5 dhjetor dhe vazhduar tri ditë pas sulmit në Pearl Harbor, që i bëri Shtetet e Bashkuara të futen në luftën botërore. 2. Virtytet gjeneruese/krijuese të njerëzimit. Ashtu siç në trupin njerëzor madhor ekzistojnë qeliza me karakteristika polivalente të qelizave embrionale (staminalet), megjithatë të pa aktivizuara, po ashtu edhe në çdo qenie njerëzore, në çdo shoqëri njerëzore ekzistojnë virtyte rigjeneruese, gjeneruese e krijuese, në gjendjen e fjetur ose frenuar. 3. Virtytet e krizës. Si forcat regresive ose dezintegruese, edhe forcat gjeneruese dhe krijuese zgjohen në krizën planetare të njerëzimit. 4. Virtytet e rrezikut. "Aty ku rritet rreziku rritet edhe ajo që shpëton". Oportuniteti suprem është i pandashëm nga rreziku suprem. 5. Aspirimi mijëvjeçar i njerëzimit për harmoni (parajsa, utopitë, ideologjitë, revoltat rinore të viteve 60). Kjo aspiratë rilind në zulmën e iniciativave të shumëfishta dhe të shkapërderdhura, që do të mund të ushqenin udhët reformuese, të destinuara të ribashkohen në Udhën e re. Shpresa kishte vdekur. Gjeneratat e vjetra, çmagjepsur. Të rejat, të dëshpëruara që s'kishin një kauzë për të cilën do të luftonin, siç qe për ne Rezistenca gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por kauza jonë bartte në vete të kundërtën e vet. Siç tha Vasilij Grossman për Stalingradin, fitorja më e madhe e njerëzimit ishte në të njëjtën kohë humbja e tij më e madhe, ngase totalitarizmi stalinian dilte fitues. Fitorja e demokracive ristabilizonte njëkohësisht kolonializmin e tyre. Sot kauza për të cilën duhet luftuar është absolutisht e qartë: të shpëtohet njerëzimi. Shpresa e vërtetë di të mos jetë qartësi. Është shpresa jo e më të mirës së botëve, por në një botë më të mirë. Origjina është përpara nesh, thoshte Heidegger. Metamorfoza do të ishte në të vërtetë një origjinë e re. (Le Monde, La Stampa)

KOMENTE