English

Rruga para nesh

Nesër, kur vendimmarrësit do të jenë në pension, të rinjtë e sotshëm do të jenë vendimmarrës. Vendimmarrësit e sotshëm nuk janë duke e dhënë modelin e duhur si të sillen të rinjtë me pensionistët e ardhshëm

Mimoza Kusari Shumë ngjarje karakterizuan javën që po e lëmë pas, duke filluar nga saga e quajtur Gjilan (lexo: raporti i forcave PDK - LDK), tek ideja për kthimin e Veriut nën administrimin e Kosovës (të paktën ashtu shpresojmë), e deri tek planet me të "sofistikuara" për menaxhimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë dhe integrimit të veriut. Për të na lënë mjaft material për bisedë dhe komentime ishte festimi i Ditës së Drejtësisë (?), term ky shumë relativ për realitetin të cilin po e jetojmë. Ndërsa, për t'i dhënë ngjyrë hiri jetës në Kosovë, ishin lajmet mbi ngritjen e çmimit të konsumit dhe mungesën e çfarëdo plani për rimëkëmbje ekonomike apo tejkalim të krizës. Kjo sa i përket Kosovës, përderisa në Shqipëri vërshimet shënojnë dhjetëra miliona euro në dëme, ndërsa në Haiti nga tërmeti i disa ditëve me parë, ende vazhdojnë të nxirren trupat e pajetë të mijëra njerëzve. Thonë se lajmi i mirë nuk është lajm, por nga krejt çfarë dëgjojmë dhe lexojmë na duhet një lajm i mirë, të paktën për të na dhenë buzëqeshjen e cila po na mungon. Lajmi se serbët e Graçanicës i ndihmojnë Shqipërisë na bëri ta vëmë buzën ne gaz, kjo për komentin më të shpeshtë: "Serbët po ia kthejnë favorin për 400.000 eurot e Republikës se Shqipërisë për Graçanicën". Me ose pa buzëqeshje, cili nga lajmet vendore ose ndërkombëtare do të bënte një të ri apo të re kosovar/e të mendonte për inkuadrim në politikë apo veprim konkret për komunitetin? Sigurisht se lajmi për vërshimet dhe tërmetin ofron më tepër reaksion dhe dëshirë për të vepruar. Të paktën më bëri mua të reagoj me mbledhjen e veshmbathjeve për fëmijët e zonave të përmbytura dhe shumë të tjerë që iu bashkëngjitën kësaj thirrjeje. Por jo të gjitha fatkeqësitë kërkojnë reagime ad-hoc. Duhet ta kuptojmë se mungesa e strategjive dhe planeve afatgjata dhe mungesa e transparencës dhe menaxhimit të drejtë të buxhetit sjell vetëm dëm dhe varfërim jo vetëm ekonomik, por edhe politik. Përditshmëria e lajmeve nga skena politike në Kosovë nuk ndjell ndonjë dëshirë të flakët tek të rinjtë për inkuadrim në politikë. Përkundrazi, sjell dëshirën për të ikur dhe shpërthyer kufirin e mbyllur. Kjo është ajo çfarë ndjen një i ri kosovar, i cili sot nuk përfshihet në politikat zhvillimore dhe të cilit Qeveria e Kosovës me buxhetin e saj për vitin 2010 për Rininë ia ka ndarë 0.50 euro në ditë. Ndonëse me 60 për qind të popullsisë së Kosovës nën moshën 30 vjeçare, në politikat tona shumë pak mendohet dhe punohet për inkuadrimin e të rinjve në proceset vendimmarrëse. Dorën në zemër, edhe nëse mundësitë dhe shanset iu ofrohen atyre, reaksioni i parë do të jetë negativ për shkak të pamjes së shëmtuar që është duke ofruar politika ditore e Kosovës. Këtë ma thanë edhe mua, çfarë deshe në politikë? Është e shëmtuar dhe e përlyer! Përgjigja ime ishte se kam hyrë të ndryshoj diçka në politikë, e jo politika të më ndryshojë mua. Politika e cila arsyeton mungesën e moralit (se është politikë), arsyeton ndërrimin e ideologjisë dhe mungesën e standardit etik (se është politikë), i shërben vetëm një numri të caktuar të njerëzve, ndërsa shumica mbetet e papërfaqësuar. Më mbetet të besoj se në çdo hap mund të bëhet më mirë, duhet të besojmë se kemi mundësi dhe forcë për më mirë. Fakti se kemi një numër të konsiderueshëm të rinisë jashtë politikës, tregon për një gjë - sistemi i brishtë demokratik nuk ka arritur ta sjellë standardin se llojllojshmëria e mendimeve është pasuri të cilën duhet të jemi në gjendje të vlerësojmë dhe rrisim. Institucionet vendimmarrëse veprojnë për interesa të ngushta, ndërsa harrojnë për njerëzit të cilët do të ndikohen drejtpërdrejt nga mospërfillja e tyre dhe nëse askush tjetër, fëmijët e tyre do të vuajnë nga vazhdimi i një politike të dobët. Modeli i inkuadrimit të rinjve të Gjakovës në procesin politik është një pjesë e stories. Ai model mund të shumëfishohet dhe rezultatet nuk do të mungojnë. Të rinjtë duhet ta ngrisin zërin më shumë, të jenë më të dukshëm dhe të organizohen më mirë për të treguar se jo vetëm fatkeqësitë na bëjnë të reagojmë. Organizimi i aktiviteteve për lagjen, shkollën, komunitetin, gjithmonë në ngritje të vlerave, duhet të jetë synim për të gjithë. Por, aktivitetet janë të vështira me barkun e zbrazët dhe mungesën e optimizmit. Rrethi vicioz duhet të ndërpritet nga ata të cilët planifikojnë dhe vendosin për ngritjen e mirëqenies. Por, a mund të mendohet për të rinjtë pa menduar për pensionistët? Ata nga halli formuan partinë e tyre në mënyrë që t'ua përkujtojnë institucioneve se janë ende gjallë dhe se kanë nevoja - por, më shumë se për çfarëdo tjetër kanë nevojë për respekt dhe dinjitet. Për t'i kuptuar hallet e rinisë dhe pleqërisë së bashku, i rekomandoj strukturës qeverisëse të Kosovës ta formojnë Forumin Rinor tek Partia e Pensionisteve të Kosovës dhe aty të fillojnë të diskutojnë problemet e tyre të radhës, kur ata të pensionohen. Kështu ata do t'i kuptonin hallet e rinisë që i anashkalojnë dhe do të mësoheshin të planifikojnë për të ardhmen e tyre, kur ata do të jenë në pension. Për një gjë jam e sigurt: nesër, kur vendimmarrësit do të jenë në pension, të rinjtë e sotshëm do të jenë vendimmarrës. Vendimmarrësit e sotshëm nuk janë duke e dhënë modelin e duhur si të sillen të rinjtë me pensionistët e ardhshëm. (Autorja është Zëvendëspresidente e AKR dhe kontribuese e Express)

KOMENTE