Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 16 janar NOA - Pas përmbytjeve, një pjesë e banorëve që kanë ndërtuar shtëpitë pranë digave, apo mbi kolektorë duhet të mendojnë për të gjetur një tjetër strehim, pasi këto banesa në një të ardhme të afërt apo të largët janë të destinuara të prishen.
Bëhet fjalë për të gjitha ato godina që cenojnë sigurinë kombëtare dhe janë një rrezik i vazhdueshëm për jetët e njerëzve.
Me këtë argumentim ministri i Bujqësisë Genc Ruli gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve NOA, pohoi se do ti propozoj qeverisë që të gjejë zgjidhje për të zhvendosur këto familje. "Ka shumë ndërtime që janë bërë mbi kolektorë, pranë veprave të mëdha publike, anësore shtratit të lumenjve, për të cilat nuk mund të ketë asnjëherë siguri për jetët e atyre banorëve"- tha Ruli. Sipas tij këto ndërtime kanë cenuar sigurinë kombëtare, ndaj është e nevojshme që të shpërngulen nga aty.
"Pasi të kapërcehet situata e emergjencës do ti propozoj qeverisë që të gjejë modalitetet për të larguar familjet". Një ditë më parë janë përcaktuar edhe kriteret që do të përdoren për vlerësimin e dëmeve, nga shtabi i emergjencës, për zonat e përmbytura.
Deri tani, sipas Rulit ka pasur keqkuptime dhe aludime për nivelin e sipërfaqes bujqësore të përmbytur. "Janë përmbytur mbi 10 ha tokë, nga e cila vetëm 7 mijë prej tyre është tokë bujqësore, ndërkohë që vetëm 2 mijë ha ishin sipërfaqe e mbjellë".
Ndërsa për sa i përket dëmeve të krijuara në blegtori, për ministrin shifrat janë minimale. Por është përgjegjësi e kësaj ministrie që në bashkëpunim me atë të shëndetësisë të parandalojnë epidemitë apo infeksionet. Ndaj të dy dikasteret do të furnizojnë popullatën me medikamente edhe për vaksinimin e bagëtive.
Por e gjithë kjo situatë do të kërkojë rregullimet e nevojshme në buxhetin e shtetit, duke rishpërndarë fondet. Ministria e bujqësisë pritet të përfitojë edhe më shumë para, në varësi edhe të përcaktimit të shifrës së dëmit.
Pasi qeveria të vërë në dispozicion shifrën e dëmshpërblimit të banorëve e cila duket se do të jetë më e lartë se 20 milion euro, edhe një pjesë e fondeve të buxhetit të shtetit do të shkojnë në qarkun e Shkodrës, duke vënë në pikëpyetje realizimin e investimeve në qarqet e tjera.
r.l/NOA