Torino, 16 Janar NOA - Të shesësh trupin për ca para, është profesion i vjetër sa bota, por të nxjerrësh fitime shtesë, kjo po që është diçka më me mend. Kështu është menduar nga një 37-vjeçare shqiptare, emigrante e rregullt prej vitesh në Itali, e cila për të fituar shuma të majme, fuste në kurth klientët italianë që fotografoheshin gjatë akteve seksuale dhe më pas fotot u tregoheshin si gjoba që të paguanin mijëra euro.
Për të realizuar planin e saj, prostituta shqiptare 37 vjeçare kishte zgjedhur një burrë kroat, plot 70 vjeçar që teksa shkrepte fotot në banesën e saj ku kryheshin aktet seksuale kundrejt pagesës, e kishte fare të lehtë të mos binte në sy, duke realizuar foto tepër të nxehta dhe komprometuese.
***
Gjithçka nisi kur ata kapën një viktimë që ishte një burrë 60 vjeçar i cili po kryente marrëdhënie seksuale me prostitutën shqiptare, ndërkohë që kroati hyri në shtëpinë e tij për t'i bërë fotografi gjatë kryerjes së aktit seksual, - raporton korrespondentja e agjencisë NOA.
Më pas për 60-vjeçarin nisën telefonata të shumta në drejtim të tij ku ishte pikërisht kroati i cili i bënte shantazh atij, duke u hequr si një investigues privat dhe i kërkonte një sasi parash në këmbim të fotove.
Shuma ishte rreth 25 mijë euro dhe pas shumë telefonatash 60-vjeçari ra prè i këtij shantazhi duke pranuar këtë ofertë.
Burri në moshë të thyer që nuk donte të fëlliqej në të 60-at e tij, u takua me prostitutën shqiptare në shtëpinë e saj ku ishte dhe vendi i takimit që kishte caktuar kroati dhe pagoi tre mijë euro si fillim, në këmbim të disa fotove.
Por ky ishte kurth sepse 60-vjeçari ishte treguar më finok. Para se të shkonte e të dorëzonte këstin 3 mijë euro, ai kishte lajmëruar dhe karabinierët dhe ndoqi instruksionet e tyre.
Pak pasi 60-vjeçari hyri në banesën e shqiptares, forcat policore që qëndronin në gatishmëri fare afër, ndërhynë dhe kapën dy të dyshuarit.
Pas aksionit, policia konfirmoi se në shtëpinë e shqiptares dhe dashnorit të saj, u gjendën dhe foto të tjera me përmbajtje seksuale ku ndodheshin meshkuj të zhveshur në shoqërinë e prostitutës shqiptare.
Krahas tyre u gjendën dhe shumë filma aparatësh fotografikë të cilat mbeten ende për t'u parë por ajo që është e sigurt, është se kroati dhe prostituta shqiptare kanë kapur dhe shumë meshkuj të tjerë në kurthet e tyre seksuale.
r.b/NOA