Prishtinë, 16 janar, NOA - Mali i Zi dhe Kosova vendosën mes tyre marrëdhëniet zyrtare diplomatike duke shkëmbyer letrat e marrëveshjes përkatëse. Një fakt i tillë u bë me dijeni nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i cili ka vlerësuar se vendosja e këtyre marrëdhënieve ka ardhur pas një komunikimi zyrtar me homologun e tij, Milan Roçen dhe ftesës që atij i është bërë nga Republika e Kosovës.
Ndërsa shton se në kohën e duhur do të shkëmbehen edhe ambasadorët e stafi tjetër diplomatik mes dy vendeve. Qeveria e Malit të Zi tha se marrëdhëniet diplomatike me Prishtinën janë vendosur në pajtim me vendimin zyrtar të 9 tetorit, 2008, për njohjen e Kosovës.
Ndër të tjera, në letrën e tij, Roçen ka theksuar se e ndan mendimin e homologut të tij se marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës kanë perspektivë të mirë. Ai ka theksuar se Mali i Zi e vlerëson lart atë që Hyseni e ka theksuar në letrën e tij se autoritetet e Kosovës kanë mirëkuptim për nevojat e komunitetit malazez në Kosovë.
Në vitin 2008, njohja e Kosovës nga Podgorica bëri që Beogradi ta dëbojë ambasadorin malazez, por nëntorin e kaluar, ambasadori i Malit të Zi u kthye në Beograd.
n.e/NOA