English

Zv/ministrja e Jashtme, Harxhi përshëndet lidhjen diplomatike mes Kosovës e Malit të Zi

Tiranë, 16 janar NOA - Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi përshëndeti sot lidhjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në një prononcim për mediat.

"Dal këtu para jush për të përgëzuar në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, lidhjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Kjo është një arritje tjetër e shtetit më të ri në botë, që është Kosova, në rrugëtimin e tij drejt vendosjes jo vetëm marrëdhënieve diplomatike por edhe njohjeve të reja.

Lidhja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Malit të Zi është shumë domethënëse për rajonin, dhe për Ballkanin në përgjithësi, për vetë faktin që tashmë Kosova ka lidhur marrëdhënie diplomatike me tre nga vendet që e rrethojnë, që i ka fqinjë të drejtpërdrejtë në rajon, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi" tha Harxhi.

Harxhi u shpreh se shpreson që shpejt a vonë, kjo të shkojë edhe me fqinjin e katërt të Kosovës, që është Serbia, dhe natyrisht të arrihet edhe njohja e plotë e Kosovës nga vende të tjera që janë anëtarë të Kombeve të Bashkuara.

"Republika e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, vazhdon gjithë punën e saj të përditshme në çdo moment duke lobuar për njohje të reja të Republikës së Kosovës dhe mbështet fuqimisht të gjithë aktivitetin diplomatik të Republikës së Kosovës, jo vetëm në favor të njohjeve të reja, por natyrisht dhe në rrugën e saj të konsolidimit të shtetit të ri, gjë që i shërben paqes dhe sigurisë në rajon" tha më tej Harxhi.

k.k/NOA

KOMENTE