English

Dimri i fundit

"Ne jemi këtu qoftë për të kërkuar, me këmbëngulje, dëmshpërblimin për çdo familje, qoftë që ky të jetë dimri i fundit i pushtetit të Sali Berishës"

Nga Edi Rama/ Foto: NOA/LSA

Kryetar i PS*

Sot ka një arsye madhore më shumë, për të ngulmuar për largimin e qeverisë.

Sot ka një arsye madhore më shumë, për të vënë alarmin për rënien e shtetit të së drejtës.

Sot ka një arsye madhore më shumë, për të kërkuar nga vetja dhe pastaj ngaçdo qytetar, që nuk pranon të mbyllë sytë e veshët përballë të keqes që po e mbyt këtë vend, edhe më shumë energji e forcë opozitare në luftën me të keqen në pushtet.

Dua t'ju flas me zemër të hapur juve e të gjithë popullit opozitar, në këto momente të vështira për Shqipërinë, kur një vit është mbyllur me krizë demokratike dhe ekonomike, e një vit tjetër ka nisur me një përmbytje katastrofike. E cila ka tmerruar për ditë të tëra mijëra familje, ka mbajtur në ankth një popull të tërë, ka thelluar më shumë gropën e zezë të krizës së ekonomisë shqiptare.

Çfarë ka mbetur pa ndodhur në këtë vend që ne të shfrytëzojmë deri në fund lirinë e mbetur ende në dispozicionin tonë për të mos e humbur edhe atë?

Janë grabitur zgjedhjet.

Është ndaluar forcërisht verifikimi i kutive të votimit.

Prokuroria është zmbrapsur tërësisht nga rritja e presionit qeveritar.

Gjykatat janë strukur nën sqetullën e frikës a në xhepin e korrupsionit.

Liria e medias është kushtëzuar kërcënueshëm nga kërbaçi ose kulaçi i qeverisë.

Liria ekonomike është bërë peng i klientelave të oborrit familjar të Sali Berishës.

Opozita është shpallur aleancë punisto-mafioze.

Dhe Shkodra është përmbytur nga llumi i korrupsionit në shtet e i paaftësisë në pushtet.

Çfarë duhet të presim akoma për të ngritur më tej barrikadën njerëzore, që kjo llumokraci të mos vrasë e shkatërrojë të tjerë si në Gërdec pastaj të thotë Gërdeci voton për ne?

Të mos shembë e varrosë të tjera qindra miliona euro borxhe të çdo familjeje shqiptare si në Kalimash pastaj të thotë s'ka problem se gjejmë borxhe të tjera;

Të mos përmbysë toka buke, shtëpi e bagëti në një sipërfaqe katër herë më të madhe se Tirana pastaj të thotë s'ju desh i madh Zoti po ju do qeveria zemërmadhe!

Çfarë duhet të presim akoma për të dalë në rrugën e protestës qytetare, pa kthim mbrapsht në shtëpi, që rruga e lirisë, demokracisë, drejtësisë, të mos bëhet shteg i mbyllur për shqiptarët që as janë në pushtet dhe as kanë ndonjë lidhje kushërillëku apo tarafllëku me pushtetin?

Çfarë duhet të presim akoma për të bërë atë që çdo popull dinjitoz bën kur qeveria vret dhe nuk dënohet, shemb dhe nuk ndëshkohet, mbyt dhe nuk dorëzohet?

Nuk kemi çfarë presim fare, nëse nuk duam të marrim të tjera dhurata poshtëruese nga qeveria, e cila pas një viti të mbyllur si s'ka më keq për çdokënd që jeton jashtë oborrit të familjes në pushtet - fundvit pa rroga për 110 mijë nëpunës të shtetit e pa pagesa për dhjetëra mijëra njerëz në kompanitë e papaguara nga shteti - u ka derdhur ujin në kokë për Vit të Ri jo vetëm shkodranëve që jetojnë në ato 11.400 ha të përmbytura, po tërë shqiptarëve.

Shkodrën nuk e përmbyti dora e Zotit, po marrëzia e robit të pushtetit e të parasë. Dhe këtë krim shtetëror duhet ta ndëshkojë me forcë jo vetëm Shkodra, po e tërë Shqipëria.

Sali Berisha mblodhi qeverinë në Shkodër dhe kremtoi me fjalë të bujshme suksesin e qeverisë në operacionin "Përmbytja e paparë", për të cilin falenderoi të gjithë ministrat. Si gjithnjë duke thënë se historia nuk njihte arritje të atillë.

Në fakt historia nuk njeh rast tjetër ku qeveria të mbysë me ujë popullin për të mbledhur ujë për xhepin. Madje përmbytja e lëvdatave kryeministrore filloi nga Prifti, që fluturoi për vakanca festive pasi e grumbulloi ujin pas portave në nivele të frikshme, jashtë çdo caku të rregullores shumë strikte të kontrollit të digave dhe i la portat në duart e askujt.

Pse Shqipëria duhet ta mbajë më në kurriz këtë kryeqeveritar që tallet në këtë farë feje me popullin e vet, duke kalëruar me rrena e tallje një pushtet të grabitur?

Ndërkohë që duhet të jepte llogari për këtë katrahurë të radhës, të bënte transparencë për çdo fakt e shifër që gjendet në sistemin elektroenergjitik shqiptar lidhur me këtë ndodhi të hatashme, të largonte menjëherë Priftin si përgjegjës të drejtpërdrejtë për çka u ndodhi mijëra familjeve shkodrane, Sali Berisha u krekos si të ishte përpara një vepre madhështore të saponxjerrë nga duart dhe vazhdoi të sulmojë opozitën si problemin e vetëm që i ka mbetur vendit.

Pse Shqipëria duhet ta tolerojë më tej këtë pushtet që të vret e të bën votuesin e vet si në Gërdec, të shemb me lekët e tua e të fut dorën në xhep për të riparuar shembjen si në Kalimash, të zhyt e të thotë të nxorra gjallë nga uji si në Shkodër?

Sot e pamë ne dhe e pa e gjithë Shqipëria përmbledhjen e fakteve e të shifrave zyrtare që pushteti i Sali Berishës mban fshehur, qysh prej vërshimit të ujit mbi Shkodër, në përpjekjen monstruoze për të zhdukur të vërtetën e dokumentuar. Pamë edhe sesi ky shtet është kapur për fyti nga duar njerëzish të papërgjegjshëm e të paaftë deri në marrëzi, të cilët për interesa që vetëm me ligjin e me popullin s'kanë të bëjnë, shkaktuan një katastrofë rrënqethëse.

Ashtu siç kemi parë e do të shohim në vijim se me çfarë pafytyrësie këta pushtetarë gënjejnë publikun për të mbuluar gjërat që kanë bërë dhe pastaj, sapo gënjeshtra u zbulohet botërisht, gënjejnë prapë për të mohuar atë që kanë thënë. Pse Shqipëria duhet të pajtohet me këtë pushtet të shthurur mendjeje e goje, të cilit s'i ka mbetur fije turpi në marrëdhënien e vet me shqiptarët dhe pa asnjë gajle e bën të zezën të bardhë e të bardhën të zezë sy më sy, ditë për ditë?

Kjo është më shumë se asnjëherë një përplasje mes dy botësh, mes dy mënyrash të jetuari me të vërtetën e me shoqërinë, mes forcash që e mbajnë peng këtë vend përmes armëve të së shkuarës dhe forcash që duhet të çlirojnë energjinë e domosdoshme ndryshimit për të rezistuar në emër të së ardhmes.

Gërdeci. Kalimashi. Fierza.

Tre fatkeqësi kolosale të shkaktuara nga dora e pushtetit, të cilat kanë ndodhur në harkun e vetëm 20 muajve, ndërkohë që sot Shqipëria është më pak e lirë se 20 muaj më pare, kur pas Gërdecit mori ftesën për në Nato. Më pak e sigurtë në jetën e saj të përditshme se sa 20 muaj të shkuara kur u tund nga fatkeqësia e parë.

Më pak e drejtë sesa 20 muaj më parë kur filloi hetimi për atë fatkeqësi të pandëshkuar sot e gjithë ditën, teksa dy fatkeqësi të tjera kanë rënë mbi vendin nga e njëjta dorë.

Ndërkohë që zinxhiri i fatkeqësive të pajustifikueshme është zgjatur, zinxhiri i drejtësisë është këputur. Drejtësia ka rënë aty ku ranë zgjedhjet, në kutinë e mbyllur forcërisht të votave të 28 qershorit.

Nuk do të ribëj këtu historinë e kësaj periudhe të re opozitare që e kemi jetuar së bashku, me vështirësitë e sfidat e saj pasionante.

As do të mbaj këtu fjalimin e radhës për hapjen e atyre kutive ku mbahet peng forcërisht demokracia e këtij vendi.

Por dua të nënvizoj me forcë të vërtetën e thjeshtë se beteja jonë për kutitë e 28 qershorit nuk është në asnjë mënyrë përpjekja jonë si palë e interesuar për pushtet, por lufta jonë si njerëz që duam ta ndryshojmë vendin ku jetojmë duke refuzuar tarbjate të mbrapshta të kthyera në një sistem që po nuk e shembëm me kurajë, do ta kthejë Shqipërinë në një geto ku mund të rrinë vetëm ata që i nënshtrohen rregullave të pashkruara.

Kjo është lufta jonë si njerëz që duam ta presim zinxhirin e fatkeqësive jonatyrore, të mëdha si këto tre mynxyra a të vogla si ato që u ndodhin njerëzve përditë me mijëra për faj të shtetit.

Si njerëz që duam të lidhim zinxhirin e këputur të drejtësisë në këtë vend, ku gjithçka mund të ndodhë po s'e luajtëm vendit këtë pushtet të korrupsionit, paaftësisë, cinizmit.

E kam parë me sytë e mi, jo një herë dhe jo nga toka po përmes ujit,

deri në zgripe ku s'ka mbërritur ende askush prej shtetit, plagën e madhe që ka hapur mbi Shkodër e nën Shkodër babëzia e pushtetit.

Të mbërthen një pezmatim i patregueshëm, duke ndjerë mbi atë plagë të pamatshme pabesinë e shtetit, që ka quajtur zhvillim shkatërrimin në vite të cdo mbrojtjeje të tokës e të njerëzve, si edhe verbërinë e pushtetit, që s'i ka pasur hic në sy ata njerëz e ato toka kur ka mbledhur babëzisht ujë mbytës për të derdhur ca para në gropën e thellë ku është zhytur ekonomia.

Kam takuar njerëz të dëshpëruar, të revoltuar, të vrarë në dritën e syve të tyre, duke parë të shushatur nga maja e kodrës shtëpitë e zhytura në ujë dhe duke parandjerë braktisjen që do t'u vijë pas ikjes së ujit.

S'kam pasur fjalë të bukura për t'u thënë në atë hall të pashoq, por vec jam bashkuar me deputetët e Shkodrës në premtimin se nuk do të lemë fjalë pa thënë e gur pa luajtur që dëmet e bëra pabesisht të shlyhen deri në fund shtetërisht.

Edhe pse ata njerëz të vrarë e dinë më mirë se kushdo që kthimi i normalitetit të tyre vorfnor nuk është assesi një fjalë goje.

Kam hasur ndër ta edhe njerëz të inatosur me ne, nuk ishin opozitarë dhe thjesht s'u vinte hiç mirë të na shihnin në vendin e krimit qeveritar, sepse nuk e fshihnin dot dyshimin gërryes se robi e jo Zoti kishte dorë këtë radhë.

S'di a u jam përgjigjur si duhet atyre që më kanë pyetur si ka mundësi që disa syresh shfajësonin qeverinë megjithëse të zhytur në ujë prej saj, por u kam thënë se më ka hidhëruar shumë në ato dalje fryti i dasisë së mbjellë kaherë në shpirtra njerëzish të varfër prej Saliut, Jozefinës e me radhë. Të cilët, edhe në ditët e hallit të madh të shkodranëve jepnin botërisht shembullin sesi shahet opozita për të larguar vëmendjen nga problemi.

Ndërkohë që ne për asnjë moment, qysh prej orës së parë, nuk kemi harruar se përpara fjalëve për çka ndodhi, ka qenë përditë e rëndësishme të japim një dorë me sa mundemi, për të lehtësuar motra e vëllezër në fatkeqësi pavarësisht për kë kanë votuar.

U jam mirënjohës Ilir Beqes, Tom Doshit, Ndue Kolës e Astrit Becit, deputetët tanë të Shkodrës, që bashkë me Keti Bazhdarin, kryetaren e shtabit tonë të emergjencës, kanë qëndruar pa pushim e pa kursim pranë Shkodrës e shkodranëve të përmbytur, duke shkuar në çdo zonë e duke ndihmuar me çfarë kanë mundur familje të tëra, deri në fshatra krejt të izoluar.

U jam mirënjohës po ashtu të gjithë deputetëve të tjerë socialistë, nga çdo qark i Shqipërisë, që kanë vajtur e do të vazhdojnë të venë në Shkodër sipas programit tonë të ndihmës.

U jam mirënjohës sigurisht edhe të gjithë të tjerëve, që nga kryetarët e njësive vendore socialiste në të gjithë vendin deri tek qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes për të ndihmuar Shkodrën me shumë dëshirë e përkushtim. Ndihma jonë është modeste, mbase krejt e papërfillshme në raport me nevojat e jashtëzakonshme që kanë lindur e do të lindin përditë në atë zonë të sakatuar nga përmbytja. Ku duhet një plan i madh konkret për rifillimin e jetës, të cilin qeveria e përmbytjes ende nuk e ka, ashtu siç pa asnjë dyshim nuk ka asnjë aftësi për ta vënë në jetë atë plan nëse një ditë do ta ketë.

Po të jetë për këtë qeveri ajo zonë do të mbahet me lugën bosh të përbetimeve të rrejshme të Sali Berishës dhe s'ka asnjë çudi të përmbytet përsëri dimrin e ardhshëm.

Por ne jemi këtu qoftë për të kërkuar, me këmbëngulje, dëmshpërblimin për çdo familje, qoftë që ky të jetë dimri i fundit i pushtetit të Sali Berishës.

Kreu i kësaj qeverie fajtore, në vend se ta kërkonte seancën e jashtëzakonshme të parlamentit kur i kishte fluturuar Prifti jashtë orbite dhe digat kishin mbetur pa njeri mbi kokë, apo kur i fluturoi edhe spikerja Jozefina jashtë radhe për qokat e saj të kushtueshme turistike, arrin ta përdorë edhe krimin e qeverisë së tij edhe fatkeqësinë e Shkodrës, për të bërë një diversion të shëmtuar ndaj opozitës duke i vënë emrin, "e jashtëzakonshme", një seance që zhvillohet konform Kushtetutës çdo të hënë të tretë të janarit. Ku ne nuk kemi asnjë arsye të shkojmë, sepse emergjenca për të përballuar dallgën shkatërruese të krimit qeveritar ka kaluar dhe ka filluar faza kur duhet të përballohen shkatërrimet e bëra.

Ne mund të kontribuojmë siç na takon për këtë fazë jo duke marrë pjesë në farsën parlamentare të organizuar nga autorët e veprimtarisë kriminale që nxori Fierzën jashtë kontrollit, po duke u solidarizuar me çdo familje shkodrane për të kërkuar shlyerjen e çdo dëmi për të gjithë, pa asnjë dallim partiak.

Duke e bërë këtë çështje pjesë të pandashme të axhendës së protestave tona. Fatkeqësia e pafalshme e Shkodrës nuk është një motiv i ri për të futur opozitën në sallën e parlamentit të kutive të mbyllura, po një arsye më shumë për të nxjerrë nga godina e qeverisë pushtetin e votave të vjedhura. Këtë thonë zemrat e opozitarëve të të gjithë Shqipërisë, që kërkojnë përditë e më me ngulm transparencën e kutive të 28 qershorit ose largimin e Sali Berishës. Këtë do të bëjmë edhe ne me ta dhe me këdo që nuk do zgjatjen e kësaj agonie të demokracisë e të ekonomisë në Shqipëri.

Përralla e djegies së mandateve është shpikur për të larguar vëmendjen nga zullumet e qeverisë së Saliut dhe ushqyer një debat qesharak nëpër gazetat e lagura nga uji i Berishës. I cili bashkë me dy shokët e gjahut antiopozitar, sheh në fakt nga halli edhe ndonjë ëndërr me prurje të reja deputetësh pas djegies së dorës së parë.

S'kam ndërmend të përfshihem në këtë gjasmedebat grotesk as unë dhe besoj po kështu asnjë deputet i vetëdijshëm për faktin e thjeshtë se mandatet tona janë të popullit opozitar.

Ato as mund të digjen dhe as mund të transferohen në duart e Sali Berishës, që bashkë me Ilir Metën e me Fatos Nanon, ngjajnë të tre në këtë peshkim të lodhur poshtë listave të deputetëve, njësoj si spikerja Jozefina mbi Bunë, me një këpucë në ujë e me gjahun e dëshiruar në lumë.

Gërdeci, Kalimashi, Fierza.

Tre histori marramendëse që kalojnë caqet e imagjinatës mbi lemerinë ku mund të katandiset një shtet, për shkak të degjenerimit të një pushteti në një oborr familjarësh, shërbëtorësh e klientësh të pushtetit të një familjeje.

Tre humbje katastrofike për shqiptarë të pafajshëm, për mijëra familje të varfëra, për një popull të tërë. Tre pikëpyetje të frikshme për Prokuroren e Përgjithshme, për Gjykatën e Lartë të vendit, për vetë Presidentin e Republikës. Të cilit dëshiroj t'i them sot se Gërdeci nuk mund të harrohet, Kalimashi nuk mund të anashkalohet

dhe Fierza nuk mund të tolerohet.

Në vetëm 20 muaj tre gjëma të tilla prej dorës së pushtetit, janë shumë për të mos reaguar sot me shumë vendosmëri në krye të shtetit.

Duke i kërkuar publikisht, me këmbëngulje e fjalë të qarta drejtësisë të mos bëjë padrejtësi. Mungesa e drejtësisë në tre fatkeqësi të këtij lloji, është një padrejtësi që ndjell të tjera fatkeqësi të mëdha.

Më e madhja ndër to është humbja e çdo sensi moral jo vetëm në dhënien e drejtësisë nga drejtësia, po edhe në kërkimin e së drejtës nga shoqëria. E cila sot ushqehet përditë me helmin e një politike të kudondodhur e të neveritshme akuzash e shpifjesh, që mbështetet përmes një lukunie gazetash e televizionesh qeveritare pa asnjë qëllim tjetër veç amplifikimit të fuqisë së pushtetit në jetën e njerëzve.

Përhapja e bindjes se nuk mund të ketë drejtësi, po zgjeron dita-ditës moçalin publik ku shtohen të dorëzuarit ndaj kësaj statukuoje paralizuese, duke ngushëlluar veten me ndonjë shpërblim mbi a nën dorë nga pushteti ndërkohë që analizojnë me dorë pse nuk bëhet Shqipëria. Dhe sigurisht Shqipëria s'bëhet se opozita s'ka program të majtë, pavarësisht se pushteti vret e pret. S'bëhet se opozita kërkon hetimin e zgjedhjeve, ndërkohë që pushteti grabit e shemb.

S'bëhet se opozita nuk shkon në parlament, pasi pushteti mbyt e peshkon.

Madje, opozita e ka fajin pse Saliu gënjen përditë e më shumë, ndërkohë që gënjeshtrat e tij bëjnë kaq mu, sa të dorëzuarit thonë nuk ia vlen të merremi me to se s'është lajm. Lajm sot është kur qeveria i bën opozitë opozitës dhe nuk i kërkohet as kryeministrit e as ministrit pse lanë punën, po sulmohet opozita pse nuk përgjigjet për akuzat që i bëhen.

Ja pse sot më shumë se kurrë, të dashur miq e shokë pa përjashtim, i duhet këtij vendi një forcë rezistente, një bashkim pa rezerva, ndaj kësaj të keqeje që mungesa e drejtësisë, shkatërrimi i shtetit ligjor, përçudnimi i moralit qeverisës, deformimi i pasqyrës mediatike, fshehja e shoqërisë civile dhe heshtja e komunitetit të biznesit, po e bën një të keqe asfiksuese për shoqërinë.

Askund tjetër vec tek opozita nuk mund të jetë graviteti i kësaj force rezistence dhe në asnjë tjetër mënyrë përveç protestës qytetare Shqipëria sot nuk mund t'ia dalë të zmbrapsë avancimin e projektit makabër të kthimit të demokracisë në një skemë të mbyllur, ku pushteti prodhon paranë e paraja riprodhon pushtetin.

Kush e ka lexuar raportin më të fundit prestigjioz ndërkombëtar të Freedom House, i gjen aty të trajtuara objektivisht të gjitha këto probleme.

Ndërsa zgjidhjen e kemi vetë në dorë. Zgjidhja nuk do të na vijë nga jashtë nesh, po përmes betejës sonë pa asnjë kompromis në mbrojtje të parimeve themelore të një demokracie funksionale.

Kemi dëgjuar këto ditë disa miq të djathtë europianë që duke u solidarizuar me partnerët e tyre këtu, fajësojnë opozitën pse nuk hyn në parlament.

Theksoj se s'kam parasysh zonjën Pak në këtë rast, të cilën e ftoj dashamirësisht të vijë të jetojë këtu meqë vetëm televizionet shqiptare e pyesin për ndonjë gjë.

E vërteta është se demokracia shqiptare nuk funksionon jo sepse opozita nuk shkon në parlament, po opozita nuk shkon në parlament sepse demokracia shqiptare nuk funksionon.

Madje as brenda në parlament nuk ka demokraci, po vetëm dhunë verbale kundër opozitës, procedura të thyera vijimësisht, votime të verbra dhe verbëri në shkeljen e vetë ligjit.

Kaq e vërtetë është kjo sa në kohën kur digat dendeshin me ujë jashtë rregullores, qeveria bëri thyerjen më spektakolare të hundëve të parlamentit, duke ndryshuar për të tretën herë buxhetin e vitit 2009 dhe duke e vetëvulosur në rrugë antikushtetuese, pa e kaluar hiç në sitën e Kuvendit.

Gërdeci, Kalimashi, Fierza.

Tre arsye për të mos lejuar një të katërt e një të pestë, që nuk ka si të mos vijë nëse ne nuk dalim një orë e më parë në rrugën e protestës pa kthim në shtëpi.

Deri në përmbushjen e kërkesës sonë ose në largimin e qeverisë. Jo për ne këtu, po në radhë të parë për të gjithë ata që çdo ditë provojnë shijen e hidhur të një fatkeqësie çfarëdo, një hall që nuk iu vjen nga Zoti po nga shteti pa zot, pa institucione normale e as respekt minimal për ligjin.

Për të gjithë ata që nuk e gjejnë dot të drejtën që u jep ligji apo kur e gjejnë nuk ua njeh kush, ne do protestojmë.

Për të gjithë ata që janë pa punë apo humbasin përditë punën, ne do protestojmë.

Për të gjithë ata që jetojnë me ankthin do marrin a s'do marrin rrogën e shtetit apo pagën e punës në sipërmarrje për llogari të shtetit, ne do protestojmë.

Për të gjithë ata që nuk paguajnë dot faturën e rritur të çmimit të jetesës, ne do protestojmë.

Për të gjithë të rejat e të rinjtë e këtij vendi që po hyjnë e dalin nga universitetet pa marrë atë që u duhet për jetën, ne do protestojmë.

Ne nuk kemi dy rrugë, po vetëm një.

Sepse në betejën për liri e të drejta themelore, për demokraci reale e realitet evropian nuk ka dy rrugë po vetëm një.

Kjo është rruga e të jetuarit me të vërtetat e shkruara nga njerëz të guximshëm në historinë e vjetër e të re të botës demokratike.

Rruga e të kërkuarit të ndryshimit të vërtetë me durim të posaçëm e vullnet të palëkundur, pa devijuar në rrugicat qorre të pazareve e të rehatit veç për vete.

Rruga e besimit se e shkuara nuk mund ta zhbëjë të ardhmen, e liga nuk mund ta mbysë të mirën, gënjeshtra nuk mund ta varrosë të vërtetën.

Le të biem në një mendje të gjithë se kjo është rruga jonë, rruga e popullit opozitar, rruga e atyre që lindin e do të lindin në familjet e socialistëve e të demokratëve, dhe nuk mund të trashëgojnë një Shqipëri të ndarë me thikën e urrejtjes, dasisë, sherrit primitiv në mes të Europës.

Le t'i prijmë në këtë rrugë atyre që njësoj si ne e duan Shqipërinë pa fatkeqësi të reja prej dorës së njeriut dhe plot mundësi e shpresë për çdo njeri.

(*) Fjala e mbajtur sot në Asamblenë Kombëtare të PS

KOMENTE