Tiranë, 17 janar NOA - Këshilli Qendror i Demokracisë së Re deklaroi sot me anë të një komunikate për shtyp se angazhohet dhe ofron zgjidhje konkrete për implementimin e shpejtë, pa ndërhyrje arbitrare të Marrëveshjes së Ohrit, duke afatizuar aprovimin, kontrollin dhe përmirësimin e ligjeve të aprovuara më parë, por edhe duke rivendosur frymën e saj në të gjitha instancat shoqërore.
" Demokracia e Re duke marrë parasysh seriozitetin e situatës me të cilën ballafaqohen qytetarët e këtij shteti e veçanërisht shqiptarët, duke qenë vrojtues aktiv, artikulues i drejtë kërkesave të qytetarëve dhe parti që nuk jep vetëm konstatim, por dhe ofertë konkrete;
Duke marrë parasysh zhvendosjen e Qeverisë së R.M. nga rruga e integrimit në NATO dhe UE;
Duke marrë parasysh idetë megalomane për antikuizim; përpjekjen e Qeverisë për prishjen e ekuilibrave ndëretnik dhe ndërfetar;
Duke marrë parasysh përpjekjet për ngacmimin e plagëve nga konflikti i vitit 2001 me arrestimin e personave të përfshirë në atë konflikt, mosrespektimin e ligjit për amnesti dhe procesuimin e katër rasteve të Hagës, si dhe injorimin e skajshëm të kërkesave legjitime të ish anëtarëve të UÇK-së për trajtim dinjitoz, të njëjtë me atë të pjesëtarëve të forcave të armatosura dhe paramilitare, të angazhuara nga ana e qeverisë gjatë konfliktit të vitit 2001.
Duke marrë parasysh aprovimin e ligjeve diskriminuese ndaj shqiptarëve, ligje që nuk kursejnë as fëmijët e moshave shkollore.
Duke marrë parasysh kollapsin ekonomik të vendit, investimet joproduktive, por edhe ndarjen e padrejtë dhe monoetnike të buxhetit të shtetit;
DR angazhohet dhe ofron zgjidhje konkrete për implementimin e shpejtë, pa ndërhyrje arbitrare të Marrëveshjes së Ohrit, duke afatizuar aprovimin, kontrollin dhe përmirësimin e ligjeve të aprovuara më parë, por edhe duke rivendosur frymën e saj në të gjitha instancat shoqërore" thuhej në deklaratën e Këshilli Qendror të Demokracisë së Re.
DR angazhohet për ndarje proporcionale të buxhetit të R.M. konform përqindjes etnike të bashkësive etnike, për investime kapitale në infrastrukturë, shkolla, spitale, universitete në mënyrë të drejtë dhe proporcionale, dhe për hapjen e zonave të lira ekonomike në rajonin e qyteteve perëndimore të Maqedonisë.
Gjithashtu DR deklaroi se angazhohet për marrjen e masave të shpejta dhe efektive që drejtpërdrejt do të përkrah bizneset e vendit por edhe ato të huaja që të ngrihet niveli i investimeve për reflektim të drejtpërdrejtë për hapjen e vendeve të reja të punës dhe si ofertë drejtpërdrejt fuqisë punëtore të pa angazhuar në Maqedoni, e veçanërisht të rinjve.
k.k/NOA