Ambasadorja e Spanjës në Shkup bëri të ditur se shteti i saj, si kryesues i BE-së në gjashtë muajt e ardhshëm, do të mbështesë fuqishëm integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Përderisa partia në pushtet, VMRO-DPMNE, u shpreh të jetë skeptike se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit do të ndodhë përparim në rrugën drejt BE-së, BDI-ja tha se shpreson të kundërtën. Ndërsa, opozita u shpreh se Qeveria nuk tregon gatishmëri për anëtarësimin e vendit në BE
Sefer Tahiri
Shkup, 17 Janar - Spanja do të vazhdojë ta mbështesë ish-Republikpn Jugosllave të Maqedonisë, në rrugën e saj evropiane, siç ka mbështetur marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në këtë organizatë, liberalizimin e vizave dhe ambiciet e vendit për të marrë datë për fillimin e negociatave me BE-në. Kështu deklaroi ambasadorja e Spanjës në Shkup, Marija Garsija De Lara.
Marrja e datës për negociata gjendet në agjendës e presidencës spanjolle me Bashkimin Evropian. Spanja i mbështet përpjekjet e palës maqedonase dhe asaj greke që të vazhdojnë negociatat për gjetjen e zgjidhjes së çështjes së emrit nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara", deklaroi Garsija De Lara. Ndërkaq, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Spasenovski, tha se Maqedonia ka pritje të rëndësishme nga presidenca spanjolle me Bashkimin Evropian. "Shteti ynë shpreh kënaqësinë që njëri ndër prioritetet më të rëndësishme të Spanjës, është zgjerimi i BE-së me vende anëtare të reja". "Duke pasur parasysh përvojën e vitit të kaluar me bllokimin e rrugës tonë drejt BE-së, realiteti flet se realizimi i këtyre pritjeve varet nga dinamika e zgjidhjes së çështjes që Greqia ka me Maqedoninë rreth emrit tonë kushtetues", u shpreh Spasenovski. Deputetja e Lidhjes Socialdemokrate të opozitës, Sllavica Gërkova, theksoi se pavarësisht se kush kryeson me BE-në dhe çfarë prioritetesh projekton në agjendën gjashtëmujore, rezultatet varen nga përkushtimi i vendit ndaj reformave dhe perspektivës evropiane. "Asnjë presidencë nuk mund të bëjë çudi, sepse argumentet që ne i plasojmë si shtet, nuk janë në favorin tonë", tha Gërkova. Edhe kryetari i grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Tahir Hani, tha se shpreson në rezultate pozitive për vendin gjatë presidencës spanjolle. "Republika e Maqedonisë duhet të ketë angazhim maksimal që të gjendet një zgjidhje e kapshme dhe e kompromisit, e përshtatshme për të dyja palët." "Dhe, kjo duhet të shfrytëzohet me presidencën spanjolle, e cila po ashtu e ka në agjendën e vet tejkalimin e kësaj situate dhe Maqedonia të mund të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian", theksoi Hani. Ndërsa, deputeti i Demokracisë së Re, Abedin Zymberi, u shpreh se edhe gjatë gjashtë muajve të ardhshëm nuk duhet të pritet zgjidhje e çështjes së emrit, pasi Qeveria nuk tregon gatishmëri politike për një gjë të tillë. "Qeveria e Maqedonisë dhe presidenti i shtetit nuk janë të interesuar që me të vërtetë ky problem të zgjidhet. Personalisht, si deputet, nuk shpresoj që brenda këtyre gjashtë muajve do të zgjidhet kontesti me emrin". "Kryeministri Gruevski tregon patriotizmin e vet, që të krijojë një situatë krize në Maqedoni që detyrimisht të arsyetojë dëshirën e tij për të shkuar në zgjedhje të parakohshme", u shpreh Zymberi. Tashmë është e sigurt se çështja e emrit do të jetë kusht i domosdoshëm për afrimin e vendit me BE-në. Kryesuesi paraprak me BE-në, Suedia, ishte e përkushtuar shumë për zgjidhjen e problemit të emrit dhe për afrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor me familjen evropiane. /rfe/