Haiti, 17 Janar NOA - Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, u përpoq sot të qetësojë haitianët duke i premtuar se pas tërmetit të tmerrshëm të së martës, do të dalin më të fortë dhe më mirë se ç'ishin.
Sekretarja Klinton mbërriti në Haiti për të inspektuar dëmet nga tërmeti i së martës dhe i bëri pohimet publike, pas bisedimeve me presidentin Rene Preval.
"Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë që vendi i tyre të dalë nga katastrofa më i fortë dhe më i mirë, por, unë dua të siguroj popullin e Haitit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mik, partner dhe mbështetës, ndaj do të punojmë me qeverinë tuaj nën drejtimin e presidentit Preval, që të ndihmojmë në çdo mënyrë të mundshme", u tha haitianëve Klinton. Presidenti Barak Obama i ka zgjedhur ish-presidentët Xhorxh Bush dhe Bill Klinton të drejtojnë grumbullimin e ndihmave humanitare. Kombet e Bashkuara thanë se katastrofa e së martës, është më e keqja, me të cilën është përballur ndonjëherë. Ministri i Brendshëm, Paul Antoan Bien-Aime tha se 50 mijë kufoma tashmë janë gjetur dhe bilanci përfundimtar i të vdekurve mund të shkojë nga 100 mijë deri në 200 mijë njerëz.