Haiti, 17 janar NOA - Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton ka mbërritur në Haiti për të inspektuar dëmet nga tërmeti që shkaktoi dhjetëra mijëra të vdekur.
Pas bisedimeve me presidentin Rene Preval, Klinton u tha haitianëve se Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë që vendi i tyre të dalë nga katastrofa "më i fortë dhe më i mirë". "Por unë dua të siguroj popullin e Haitit se SHBA janë mik, partner dhe mbështetës, ndaj do të punojmë me qeverinë tuaj nën drejtimin e presidentit Preval që të ndihmojmë në çdo mënyrë të mundshme", tha Klinton, njofton RFE. Presidenti Barak Obama i ka zgjedhur ish presidentët Xhorxh Bush dhe Bill Klinton të drejtojnë grumbullimin e ndihmave humanitare. Kombet e Bashkuara thanë se katastrofa është më e keqja që ka përbalur ndonjëherë. Ministri i brendshëm, Paul Antoan Bien-Aime tha se 50 mijë kufoma tashmë janë gjetur, dhe bilanci përfundimtar i të vdekurve mund të shkojë prej 100 mijë deri 200 mijë.
Ina/NOA