Shkup, 17 janar NOA - 542 vjetori i vdekjes së heroit të madh kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, u shënua sot me ceremoni përkujtimore në Shkup.
Politikanë, përfaqësues nga sektori civil, si dhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, në shenjë respekti vendosën kurora lulesh në bustin e Skënderbeut.
Ndërkaq, asnjë përfaqësues nga partitë politike shqiptare në opozitë nuk ishte i pranishëm. Me këtë rast Artan Grubi nga lëvizja "Zgjohu" u bëri thirrje partive politike dhe sektorit civil që figura e Skënderbeut të shërbejë si motiv për më shumë unitet dhe angazhim në rrugën e integrimeve evropiane. "U tubuam sot për të shënuar përvjetorin e vdekjes së kryetrimit shqiptar, gjeneralit të pamposhtur Gjergj Kastriot Skënderbeu. Është ky vend ku ne gjejmë frymëzimin, fisnikërinë për të vazhduar më tutje dhe shpresoj se mesazhi i unifikimit që Skënderbeu përcjell gjithandej te kombi shqiptar, të përqafohet fuqishëm nga partitë politike dhe nga shoqëria civile këtu në vend dhe ta shpiem kombin në rrugën drejtë integrimit euro-atlantik, bashkë me Prishtinën dhe Tiranën", ka theksuar Artan Grubi, nga lëvizja "Zgjohu", si organizator i manifestimit.
Ndërsa, një ceremoni tjetër shënoi edhe Shoqata e Veteranëve dhe e Invalidëve të UÇK-së "Kalaja" e mbështetur edhe nga Lëvizja Demokratike Shqiptare me seli në Gostivar, shoqata "Iliricum Libertas", të cilat dje në mesditë bënë homazhe përpara shtatores së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti -Skënderbeu. Në emër të shoqatës "KALAJA" fjalën e rastit e mbajti zëdhënësja e kësaj shoqate prof. Teuta Kamberi - Llalla, ndër të tjera tha: "Ne, Kryesia e ngushtë e SH V dhe e Invalidëve të UÇK-së "Kalaja" jemi mbledhur më 17 janar të kujtojmë 542 vjetorin e vdekjes së figurës më markante, humanistin e madhe dhe njëherit Heroin tonë Kombëtar, Legjendën e gjallë Gjergj Kastrioti-Skënderbeun". Kryetari i shoqatës "Kalaja", Izair Samiu i njohur si Komandant Baci ka theksuar se "gjithmonë do të përkujtojmë figurat e Kombit shqiptar nga Heroi më i madh Gjergj Kastrioti Skënderbeu e deri te dëshmori i fundit". Gjithashtu përshëndetën ceremoninë edhe Hajredin Kaza, kryetar i Lëvizja Demokratike Shqiptare si dhe Valon Kurtishi, kryetar i shoqatës Ilirikum Libertas.
INA/NOA