English

Përmbytjet, PLL: U sensibilizuam, por si gjithmonë në heshtje dhe pa bujë

Tiranë, 17 janar NOA - Nënkryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Murat Basha ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës u shpreh se PLL ka ndjekur me shqetësim situatën e rëndë që u krijua rrethet e Shkodrës dhe të Lezhës nga shkaqet natyrore duke shtuar se qeveria ka qenë e angazhuar maksimalisht për përballimin e situatës.

"Përkundrejt vështirësive të mëdha që u krijuan në një territor të gjerë, u vu re një angazhim dhe përkushtim maksimal i të gjitha strukturave qeverisëse për të përballuar dhe tejkaluar këtë situatë.

PLL, si pjesë e koalicionit qeverisës, falënderon qeverinë shqiptare dhe në veçanti Komitetin Ndërministror të Emergjencave të drejtuar nga ministri Lulzim Basha, të cilët me përkushtim patriotik dhe profesionalizëm të lartë përballuan këtë prag katastrofe" tha Basha.

Nënkryetari i kësaj partie deklaroi gjithashtu se drejtuesit, anëtarët dhe simpatizantët e PLL u angazhuan sinqerisht dhe seriozisht, por si gjithmonë në heshtje dhe pa bujë.

"Në kontrast me sensibilitetin dhe angazhimin mbarëshqiptar për tejkalimin e situatës së rëndë të krijuar në rrethin e Shkodrës, bie në sy qëndrimi i turpshëm i këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, të cilët të urdhëruar nga Kryetari i tyre i cili është edhe Kryetar i Bashkisë, kundërshtuan akordimin e një fondi ndihme të Bashkisë së Tiranës për familjet e përmbytura ne veri te vendit.

Qëndrimi i këshilltarëve të PS është vazhdim i politikës vetpërjashtuese të kësaj partie, e cila përkundrejt detyrimit për të marrë pjesë dhe dhënë kontributin si opozitë në shpalosjen e alternativave apo proceset integruese të vendit, ka zgjedhur rrugën e refuzimit dhe bojkotit ndaj institucioneve, veprim i cili po e zhvlerëson përditë e më shumë në sytë e shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar" përfundoi Basha.

k.k/NOA

KOMENTE