English

Skandal me Albanian Airlines, udhëtarët për Bolonja përfundojnë në Bratislavë

"Rrëmbehet" avioni me 110 pasagjerë shqiptarë, përfundon në Sllovaki pasi mbahet "peng" për afro 100 minuta në ajër duke terrorizuar udhëtarët. Zyrtarët e kompanisë së fluturimit konfirmojnë lajmin për agjencinë NOA dhe deklarojnë: Po marrim masa që të gjejmë një çarter e t'i çojmë nga Sllovakia në Itali

Tiranë/Bratislavë, 17 Janar NOA Update - Skandal me fluturimet civile të kompanisë së sapoblerë nga Azerbajxhanas, Albanian Airlines me 140 pasagjerë, pjesa më e madhe shqiptarë, merren "peng" dhe përfundojnë në Bratislavë të Sllovakisë, ndërsa kishin prerë biletat për të mbërritur në Bolonja kurse qëndruan një orë e gjysmë në ajër në pritje që të uleshin në Bolonjë.

Mund të duket qesharake, por u ka ndodhur plot 110 udhëtarëve të cilët pasi prenë biletat, u pajisën me leje udhëtimi dhe në orën 15.00 kaluan territorin ajror shqiptar me avionin e Albanian Airlines, përfunduan pas orës 18.00, por jo në aeroportin e Bolonjës në Itali.

Të pyetur nga agjencia NOA, përfaqësues të kompanisë Albanian Airlines kanë pranuar faktin dhe kanë konfirmuar se në vend të shkonin në Bolonjë, kanë përfunduar në Bratislavë.

Një qytetar nga Tirana i cili gjendej në avionin që duhet të shkonte në Bolonjë dhe që momentalisht gjendet në Bratislavë, i tha agjencisë NOA përmes celularit se janë tmerruar nga fakti që nuk u ulën në aeroportin italian por në atë sllovak.

Për më tepër se një orë e gjysmë, avioni është endur në ajër në vend që të ulej në Bolonja dhe më tej ka marrë drejtimin për në Bratislavë.

Qytetari thotë se në avion, iu tha nga ekuipazhi se pilotët e morën avionin dhe po e çonin në Bratislavë pasi kompania nuk i kishte paguar, duke nënkuptuar Albanian Airlines që është dhe qeramarrëse e avionit nga një kompani qeradhënëse që kishte marrë dhe ekuipazh nga Bratislava e Sllovakisë.

"Nuk jam i autorizuar t'ju sqaroj arsyet, por pilotët do të përgjigjen për devijimin. Gjithsesi ju them se ka qenë një problem që lidhet me marrjen me qera të avionëve dhe jo problem pagese", - deklaroi i pyetur nga NOA, një përfaqësues i kompanisë Albanian Airlines në degën e saj në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas.

Përfaqësuesi i kompanisë tha se bëhet fjalë për një avion të marrë me qera nga kompania Albanian Airlines me pilotë nga Bratislava.

Kompania qeradhënëse duket se nuk është paguar nga kompania qeramarrëse Albanian Airlines ndaj dhe reagimi ka qenë i tillë, duke "marrë peng" avionin që në vend të ulej në Bolonja ka arritur të shkelë të gjitha territoret e tjera ajrore deri në Bratislavë të Sllovakisë, pa u shqetësuar nga kontrollorët ajrorë të asnjë shteti.

"Ne jemi duke marrë masa që të sigurojmë nj avion çartet dhe të gjithë pasagjerët që gjenden në një ambient brenda zonës së transitit të aeroportit të Bratislavës, të dërgohen në Bolonja ku edhe e kishin destinacionin e tyre", i thanë agjencisë NOA, përfaqësuesi i Albanian Airlines në aeroportin e Rinasit.

I pyetur nga NOA, përfaqësuesi i Albanian Airlines deklaroi se nuk ishte në gjendje të thoshte nëse transportimi i 140 pasagjerëve do të bëhej brenda të Dielës, të Hënën apo edhe më vonë, por siguroi se po merren masat që kjo të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur.

/j.s/e.r/NOA/

KOMENTE