Stamboll, 17 janar NOA - Stambolli u shpall zyrtarisht dje në mbrëmje, kryeqendër e kulturës evropiane për vitin 2010, në një ceremoni solemne, ku morën pjesë disa mijëra personalitete të rëndësishme turke dhe vendet e huaja.
Në ceremoninë e hapjes, e cila u realizua nën patronazhin e presidentit turk, Abdullah Gjyl dhe kryeministrit Rexhep Taip Erdogan, morën pjesë disa mijëra të ftuar nga vendet e huaja.
Deri vonë në mbrëmje janë mbajtur koncerte dhe programe të larmishme që kanë vazhduar deri në mëngjesin e ditës së sotme edhe pse moti ishte i ftohtë dhe me shi. Banorët dhe mysafirët në qytet kanë paraqitur interes të madh për këtë ngjarje kulturore, duke festuar në programin madhështor me fishekzjarrë në bregun e Bosforit.
Gjatë fazës së konkurrimit për t'u zgjedhur Kryeqyteti Evropian i Kulturës, si emërtim për dosjen që mbronte tezën se Stambolli e meriton këtë titull, ishte përdorur slogani "Stambolli: Qyteti i Katër Elementeve". Në historinë e tij mijëra vjeçare, Stambolli ka qenë kryeqyteti i tre perandorive të mëdha, pika e takimit të tre feve hyjnore dhe shumë qytetërimeve, por më e rëndësishmja, qyteti ku përgjatë epokave ka gjetur jetë kultura e bashkëjetesës. Në projekt, katër elementet që simbolizojnë të fshehtat e jetës, u paraqitën duke u ndërthurur me veçoritë e këtij qyteti.
"Le të integrohet Stambolli me botën duke njohur realitetin e tij. Le të jetë emri i Stambollit po aq i domosdoshëm sa dheu, ajri, uji dhe zjarri duke hedhur firma në projekte të reja kulturore që do ta bartin atë përtej epokave"- u shprehën pjesëmarrësit në këtë manifestim të rëndësishëm kulturor.
Stambolli bëhet Kryeqyteti Evropian i Kulturës për vitin 2010, krahas qytetit Essen të Gjermanisë dhe atij Peç të Hungarisë.
Në këtë mënyrë Stambolli, i cili ekziston tetë shekuj e gjysmë, e arsyetoi rolin e kryeqendrës së kulturës evropiane për këtë vit.
m.s/NOA