Pjesa e parë e krizës financiare duket se është pas nesh dhe pjesa më e madhe e ekonomive evropiane po dalin nga recesioni. Kujdesi tash po ndryshon dhe po kalon në qëndrueshmërinë e financave publike
Nga "Wall Street Journal"
Parashikimet e fundit të Komisionit Evropian tregojnë se borxhi publik nga shkalla e GDP-së për vendet e Eurozonës, pritet të rritet prej 69% sa ishte në vitin 2008, në 88% në vitin 2011. Huazimet e qeverive janë në rritje të shpejtë, të ushqyera nga zvogëlimi i të ardhurave dhe nga çmimi i mbështetjes së sektorit financiar dhe të tjerëve. Pas disa viteve të mosekzistimit të theksuar të dallimeve të tregjeve ndërmjet vendeve të Eurozonës, mungesa e letrave me vlerë dhe kredive u përhap gjerësisht në fillim të vitit 2009 dhe arritën nivelet e tyre më të larta, prejse u paraqit monedha Euro. Tregjet u qetësuan në mes të vitit, por përhapja tash është zgjeruar përsëri, veçanërisht në Greqi, ku qeveria e re ka mbikëqyrur një rishikim paszgjedhor substancial dhe negativ të paraqitjes buxhetore. Por, divergjencat në kredi janë, në masë të madhe, një fenomen i krijuar nga kriza ekonomike: për shembull, rejtingjet sovrane, të vlerësuara nga kompania Standard and Purs, kanë filluar të lëvizin ndaras para pesë vjetësh, pas rënieve në Itali, Portugali dhe Greqi. Aktualisht, investitorët dhe komentatorët duket se po shtrojnë pyetje më fundamentale, duke shkuar në bërthamën e projektit të Euros. Njëherë të para si mendime ekstreme të komentatorëve politikë, spekulimet lidhur me mundësinë e thyerjes së Eurozonës tash kanë filluar të paraqiten në debatin kryesor ekonomik dhe politik. Por, mundësia e një zhvillimi të tillë mbetet e largët. Anëtarësimi në Eurozonë mbetet synim thellësisht i popullarizuar, ndërsa vendet si: Islanda dhe Bullgaria, kanë ambicie që t'i bashkohen kësaj zone. Njëjtë të rëndësishme besohet se janë edhe nxitjet e qeverive kundër largimit nga Euroja. Largimi nga Eurozona dhe lejimi që monedha e re kombëtare e miratuar të zhvlerësohet fillimisht, mund të duken një opsion atraktiv. Por, duke pasur parasysh se trendet historike përsëriten, dikush mund të presë se në atë skenar eksportet dhe rritja me gjasë do të shtoheshin, mosbalancimi i jashtëm do të tkurrej, punësimi do të mund të ripërtërihej dhe me të edhe të ardhurat nga taksat. Megjithatë, kjo strategji, me gjasë, do ta shkatërronte sovranitetin kreditor. Një ripërtëritje e udhëhequr nga eksporti, sipas mendimit tonë, nuk do të ishte e qëndrueshme, derisa zhvlerësimi nominal nuk do t'i shqyrtonte shkaqet strukturale të mungesës së konkurrencës. Çmimet vendëse, pagesat me inflacion dhe shkallët më të larta të interesit brenda vendit, mund të pritet që shumë shpejt do t'i shkatërronin efektet e çfarëdo beneficioni të përkohshëm për ekonominë, potencialisht duke kërkuar më tepër zhvlerësime. Kjo është ajo që mund të ndodhë, nëse sektorët e vendeve të orientuara në eksport janë mjaft të vogla, siç është në rastin e Spanjës dhe të Greqisë. Vendet e Eurozonës janë të vetëdijshme për rrezikun që bart dalja nga Eurozona dhe çmimi potencial i një aksioni të tillë për ekonomitë e tyre. Ato e kuptojnë se çka do të thotë kjo dhe se çmimi do të ishte shumë i lartë.