English

Çmimi i ri i energjisë, pensionistët presin kompensimin

Nga Blerina Ahmetaj

Tiranë, 18 janar NOA - Rreth 82 mijë pensionistë presin të marrin masën e kompensimit për çmimin e ri të energjisë elektrike e cila hyri në fuqi në 1 janar të këtij viti.

Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve Shoqërore ka dërguar në ministrinë e Financave numrin e pensionistëve që përfitojnë aktualisht kompensim për energjinë elektrike sipas vendimit të qeverisë në vitin 2006.

Por ende nuk dihet nëse ky numër do të rritet apo pakësohet.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Financës në institutin e sigurimeve shoqërore thonë se 450 milionë lekë është fondi çdo vit që shpenzohet për kompensimin e 82 mijë pensionistëve që përfitojnë në masën 500 lekë çdo muaj.

Vetë pensionistët pohojnë se kjo masë është shumë e vogël krahasuar me faturën e lartë të energjisë elektrike që u duhet të paguajnë çdo muaj, pa llogaritur nevojat jetike që vijnë në rritje.

"Mua më erdhi për muajin dhjetor fatura afrofe 54 mijë lekë kur në fakt unë paguaj vetëm 35 mijë lekë. Ky kompensim që marrim vlen vetëm për ta shtyrë", thotë një e moshuar.

Por ka dhe nga ata pensionistë që mezi presin të marrin kompensimin e energjisë elektrike.

"Nëse zbatohet vendimi për kompensimin, sepse ai akoma s'ka hyrë në fuqi, them se do na mjaftonte për atë rritje që ka hyrë në zbatim këtë muaj", thotë një tjetër i moshuar.

Në muajin dhjetor, Enti Rregullator vendosi që çmimi i energjisë elektrike të rritej me 13 për qind.

Nga ana e saj ministria e punës në bashkëpunim me ministrinë energjetike deklaruan se kanë përcaktuar kategoritë që do të përfitojnë kompensimin. Sipas tyre, përfituesit janë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike,ata që kanë persona që përfitojnë pagesë paaftësie, të papunët, buxhetorët me pagë mujore nën 35 000 lekë, pensionistët, etj.

Sipas dy ministrave, qeveria ka parashikuar një fond prej 2 miliard lekë për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike duke garantuar në këtë mënyrë kompensim 100% të vlerës së rritur të energjisë për kategoritë në nevojë.

b.m/NOA - blerina.ahmetaj@noa.al

KOMENTE