English

Mbërrijnë në Bolonjë, 110 pasagjerët e Albanian Airlines

Bolonjë, 18 Janar NOA - Mbërritën pasditen e sotme, 110 pasagjerët e linjës "Albanian Airlines" të cilët mbetën për afro 24 orë në aeroportin e Bratislavës në Sllovaki, konfirmojnë për agjencinë NOA, burime zyrtare nga kompania e fluturimeve që është blerë para pak muajsh nga një kompani azerbajxhanase.

Udhëtarët, mes tyre disa gra dhe fëmijë, mbërritën në orën 18.00 në Bolonjë, me një avion të tipit Airbus 320 me nr. fluturimi LV 116 i cili erdhi nga Amsterdami, porositur enkas për pasagjerët që mbetën një ditë më parë në Sllovaki.

Gjatë natës, pasagjerët fjetën në një hotel në Bratislavë dhe sot paradite me autobuzë u dërguan sërish në aeroport.

Kompania Albanian Airlines tha se kishte marrë përsipër të gjitha shpenzimet e udhëtimit, qëndrimit e ngrënies së 110 udhëtarëve.

Ndërkohë Ervin Mazniku, Drejtor i Përgjithshëm i Aviacionit Civil, duke folur sot në lidhje me avionin e kompanisë Albanian Airlines që devijoi destinacionin tha se "DPAC-ja do t'i shkojë deri në fund hetimit të këtij incidenti të rëndë".

Mazniku tha se "ajo që ka ndodhur mbrëmë me avionin dhe ekuipazhin e kompanisë Air Slovakia, te kontraktuar nga ana e kompanisë Albanian Airlines është një rast mjaft i rëndë në historinë e aviacionit civil shqiptar dhe atë ndërkombëtar".

Për të vlerësuar dhe për t'iu përgjigjur sa më shpejt situatës, Mazniku tha se u angazhuan strukturat përkatëse institucionale shtetërore, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Jashtme, Agjencia Kombëtare e Trafikut Ajror, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Vjenë dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën Çeke, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës "Nënë Tereza" si dhe Ambasada e Republikës Sllovake në Shqipëri.

"Ne si DPAC kemi vendosur kontakte që natën e kaluar me Drejtorinë e Aviacionit Civil Sllovak, dhe ne baze te procedurës standarde të aviacionit civil ndërkombëtar, Bordi Sllovak i Mbikëqyrjes së Incidenteve dhe Aksidenteve, nën juridiksionin e të cilit bie incidenti, po verifikon rrethanat e incidentit si dhe ka kërkuar raport të hollësishëm nga Air Slovakia. Sipas kontakteve që kemi bërë me ta, - siguroi Mazniku, - ky raport pritet te vije së shpejti.

"Dua t'ju siguroj se Drejtoria e Aviacionit Civil Shqiptar do t'i shkojë deri në fund hetimit te këtij incidenti të rëndë dhe do të përdorë fuqinë që i jep ligji për garantimin e të drejtave të pasagjerëve edhe në të ardhmen", - deklaroi Mazniku.

Ai pohoi se DPAC do të njoftojë për këtë incident, organet kompetente të Komunitetit Evropian, përgjegjëse për Sigurinë në fluturim.

e.r/NOA

KOMENTE