English

MTKRS, Xhaferraj: Shkëmbime turistike dhe kulturore me Turqinë

Stamboll, 18 Janar NOA - Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë ka zhvilluar në Stamboll takime dhe biseda me disa homologë të tij nga vendet e rajonit, pjesëmarrës në ceremoninë e Stambollit.

Xhaferraj u takua dhe zhvilloi një bisedë të ngrohtë e vëllazërore me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni si dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri.

Të dy palët u shprehën për intensifikimin e marrëdhënieve të përbashkëta kulturore dhe nxitjen e këmbimeve turistike.

Ministri Xhaferaj u shpreh në këto biseda se me Kosovën është detyrim madhor bashkëpunimi i ngushtë në këto dy fusha.

Është fakt ka theksuar ai se vullneti i përbashkët ekziston, por ecuria e programeve tona të bashkëpunimit varet shumë nga administrimi i veprimtarive të tilla.

Për këtë qëllim ministrat e të dy vendeve u shprehën për një ridimensionim të strategjisë dhe realizimit konkret të veprimtarive të përbashkëta në fushën e turizmit e të kulturës. Një memorandum bashkëpunimi në fushën e Kulturës dhe të Turizmit midis Shqipërisë dhe Kosovës ishte objekt i bisedës së homologëve të të dy shteteve.

Ndërkaq Xhaferaj pati takime në Stamboll edhe me ministrin e Kulturës, Sportit dhe Medias të Malit të Zi, Bramislav Miqunoviç.

Ata vlerësuan shkëmbimet kulturore dhe eksperiencat në fushën e turizmit, sidomos ato ndërkufitare, si dhe u mirëkuptuan për intensifikimin e tyre.

Të dy palët ishin të mendimit se nuk ekziston asnjë pengesë politike për zhvillimin e pandërprerë të marrëdhënieve kulturore midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Ndërsa në një takim tjetër që i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zoti Xhaferaj, e pati dhe me homologun e tij serb, Dragan Kojadinoviç biseda u përqendrua në rritjen e bashkëpunimit rajonal. Gjatë kësaj bisede gjysmëorëshe, të dy ministrat u shprehën të një mendimi se bashkëpunimi në fushën e turizmit e të kulturës duhet të zhvillohet më tej si dhe u morën vesh se bashkëpunimi shumëpalësh rajonal do t'i japë frymëmarrje më të madhe proceseve të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Ndërkaq gjatë dy ditëve të qëndrimit të tij në Stamboll, ku u zhvilluan veprimtaritë e shpalljes së këtij qyteti nga UNESKO si kryeqytet i Kulturës europiane, ministri Ferdinand Xhaferaj zhvilloi takime e biseda edhe me përfaqësues të biznesit turistik të Turqisë.

Në një bisedë me drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë turke Dedeman të hoteleve, Tomer Yurukoglu, u shpreh interes i veçantë për pjesëmarrjen e kësaj kompanie në investimet hotelerike dhe turistike në Shqipëri.

Ndërkaq ministri turk premtoi se në vizitën e tij të ardhshme në Shqipëri do të marrë me vete drejtuesit kryesorë të kompanive, të cilët kanë investuar në fushën e hotelerisë e të turizmit, me qëllim që t'i nxitë ata për investime në Shqipëri.

Pjesëmarrja në evenimentin e Stambollit ishte një rast i mirë për të promovuar mundësitë e paraqitjes së vlerave dhe diversitetit kulturor midis vendeve të ndryshme si dhe rritjes së frymës integruese dhe bashkëpunuese, sidomos me vendet e rajonit për zhvillimin cilësor në fushën e turizmit e të kulturës.

***

Stambolli është shpallur këtë fundjavë kryeqytet i kulturës europiane për vitin 2010. Për të marrë pjesë në këtë ceremoni krahas 28 delegacioneve të tjera qeveritare nga vende të ndryshme të botës, me ftesë të qeverisë turke, mori pjesë dhe një delegacion i vendit tonë, kryesuar nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj.

e.r/NOA

KOMENTE