Tiranë, 18 janar NOA - "Thirrjes së vazhdueshme të Partisë Socialiste për dhënien e asistencës së menjëhershme financiare, me lekë në dorë, për të gjithë ato familje fatkeqe që sot gjenden ende nën ujë, qeveria e votave të vjedhura të Sali Berishës, po përpiqet t'i përgjigjet duke premtuar se do fusë këto familje në skemën e ndihmës për të varfrit".
Kështu ka deklaruar sot deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni gjatë një dalje para mediave ku shtoi se kjo qeveri, po tregon edhe njëherë, se nuk ka fare lidhje me gjendjen e emergjencës së shkodranëve që vetë i përmbyti.
"Pasi u përmbyti shtëpi e katandi, pasi u shfarosi të mbjella e bagëti, duke lënë qindra familje pa burimin e jetesës së përditshme. Sali Berisha tallet me këta shkodranë kur kërkon tu mbushë mendjen se në kushtet e emergjencës në të cilën ata ende gjenden, mund të mbijetojnë me 2500 lekë të vjetra në ditë" tha më tej Gjermeni duke shtuar se
Partia Socialiste dëshiron të përsërisë edhe njëherë, me forcë dhe bindje të plotë, kërkesën e saj për asistencë financiare të menjëhershme, me lek në dorë.
k.k/NOA