English

Rama: Përmbytjet nga robi dhe jo nga Zoti, Berisha asnjë fakt por gënjeshtra

Tiranë, 18 janar NOA - Ende pa mbaruar seanca Parlamentare e jashtëzakonshme për përmbytjet në Shkodër, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka dalë në një deklaratë për shtyp ku ka reaguar për fjalimin e kryeministrit Sali Berisha dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli të cilët thanë se përmbytjet u shkaktuan nga moti i keq.

Rama ka hedhur sërish poshtë deklaratat e kryeministrit, se përmbytjet nuk ndodhën nga Zoti por nga robi.

Gjithashtu në deklaratën e tij Rama u shpreh se seanca e jashtëzakonshme nuk ishte propozuar nga opozita.

"Fatkeqësia e mbytjes së Shkodrës nuk është nga dora e zotit por nga dora e robit. Në vend të fakteve, vetëm gënjeshtra. Në vend të provave vetëm vetëlavdërime për një gjoja operacion të suksesshëm shpëtimi", - tha Rama.

Sipas tij, po degjohen "në vend të argumenteve vetëm sajesa dhe me keq akoma, sulme ndaj opozitës" dhe me tej, shtjelloi:

"Duke filluar nga gënjeshtra se opozita se kishte kërkuar atë mbledhje të seancës së sotme. Ndërkohë që mbarë media është e mirë informuar se këtë seancë e dikton Kushtetuta e Shqipërisë janë të detyruar ta mbledhin të hënën e tretë të janarit dhe nga ana tjetër ne e kemi bërë të qartë jo më larg se dje se nuk kemi kërkuar asnjë lloj mbledhje të Kuvendit, ndërkohë që sot i kërkojmë me forcë dënimin e atyre që e shkaktuan këtë fatkeqësi", - tha Rama.

Sipas tij, mosndëshkimi i këtij Gërdeci uji do të ishte trupi i radhës për drejtësinë që i ka lënë shqiptarët në mëshirën e pushtetit të tyre.

Me tej kreu i socialistëve shtoi se i ka paraqitur mbarë opinionit publik fakte konkrete, prova të pakundërshtueshme duke bërë transparencë të detyruar të gjithë kësaj historie që sipas tij, s'është asgjë tjetër veçse një tjetër kapitull i keqqeverisjes i Sali Berishës.

Rama ka bërë thirrje në fund, për protesta për të dalë nga kriza në të cilën është zhytur vendi, siç konsideroi ai.

k.k/NOA

KOMENTE