English

Soros, maratonë të forumit civil, "Shqipëria, politika e demokracia"

Tiranë, 18 janar, NOA - Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë "Soros", në kuadër të nxitjes së angazhimit qytetar në problematika të rëndësishme të zhvillimit shqiptar nisi maratonën e debateve të shoqërisë civile në mjediset e hotel "Sheraton". I konceptuar si një bashkëbisedim mes një politilogu të njohur ndërkombëtar dhe përfaqësuesve të organizatave jofitmprurëse, botës akademike e mediave, takimi i parë pati si të ftuar të veçantë dr. Ivan Krastev, kryetar i Qendrës për Strategji Liberale në Bullgari, anëtar i Bordit të Këshillit Europian për Marrëdhënie me Jashtë, këshilltar i Institutit për Sigurinë në Britaninë e Madhe dhe drejtor i programit "Shekulli i hapur" në Universitetin e Europës Qendrore të Hungarisë.

Iniciativa e paraqitur në këtë takim u ndërtua mbi bazën e kontributeve të figurave të njohura të medias, akademisë dhe shoqërisë civile në nivel evropian duke i dhënë një rol dominues debatit qytetar mbi çështje që shqetësojnë publikun e të cilat refleketojnë se si ne e zbatojmë çdo ditë ligjin, si janë shërbimet publike, si janë përdorur taksat tona dhe a po na çon aty ku duhet proçesi i integrimit evropian.

Forumi i parë civil u fokusua në çështje të rëndësishme, mes të cilave: A është i mundshëm një konsensus midis shumicës qeverisëse dhe pakicës parlamentare? Cili faktor, apo zhvillim mund t'i detyrojë palët të punojnë në këtë drejtim? A mund të garantohen të drejtat e shtetasve nëse opozita nuk është pjesë e proçesit legjislativ? A ka faktorë që mund ta zëvendësojnë në këtë rol? Cilët janë faktorët kryesorë për mirë-funksionimin e institucioneve në Shqipëri? Kur do të konsolidohet praktika e dialogut dhe e zbatimit të ligjit? Sa e dëmton vonesa e aktorëve politikë procesin e integrimit në BE dhe respektimin e Kushtetutës?

Në forumin e parë civil dhanë kontributin e tyre me ide dhe propozime konkrete, emra të spikatur të shoqërisë civile si Artan Hoxha, Arbjan Mazniku, Piro Misha, Sotiraq Hroni, Iris Luarasi, Albert Rakipi, Remzi Lani, Ilir Yzeiri, Gëzim Tushi, Aleksandër Mita, Lutfi Dervishi, etj.

Takime të tjera, me të tjera tema të rëndësishme, do të vijojnë përgjatë muajve të ardhshme jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të ndryshme të vendit.

n.e/NOA

KOMENTE