English

Spanja mbështet Shqipërinë në promovimin e barazisë gjinore

Tiranë, 18 janar NOA - Prezantimi i librit "Promovimi i barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut, Qytetaria, Dhuna në familje, Integrimi Europian, Media, Shëndeti Riprodhues, Zhvillimi i Karrierës dhe Mjedisi" është bërë sot, në kuadër të projektit "Libri im i barazisë gjinore: promovimi i barazisë gjinore në shkollat e mesme".

Projekti, është financuar nga Agjencia Spanjolle e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe është implementuar nga OJF-ja shqiptare, GADC, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim.

Në këtë aktivitet mori pjesë Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Z. Manuel Montobbio, Zv/Ministrja e Arsimit Nora Malaj dhe Zv/Ministrja e Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Filloreta Kodra. Ambasadori i Spanjës në Shqipëri në fjalën e tij vuri në dukje rëndësinë e këtij projekti në radhë të parë për promovimin e barazisë gjinore, për të cilin rol të rëndësishëm luan edukimi, si dhe për integrimin e Shqipërisë në BE duke afirmuar angazhimin e Spanjë globalisht dhe nëpërmjet bashkëpunimit për zhvillim. Pasi bëri një panoramë globale të veprimtarisë së Spanjës në këtë fushë duke paraqitur komplementimin e këtij aktiviteti me iniciativa të tjera të ndërmarra, Ambasadori Montobbio theksoi se duke filluar nga dita e sotme ky material është disponibël dhe mund të përdoret në të gjithë potencialitetin e tij nga sistemi edukativ shqiptar, duke futur një këndvështrim gjinor në të gjitha kurrikulat dhe tekstet e shkollore.

Nga ana e saj, Zv/Ministrja e Arsimit, Nora Malaj, vuri në dukje se barazia gjinore është hapi i parë drejt cilësisë sociale në Shqipëri dhe falënderoi për bashkëpunimin e Spanjës në këtë projekt. Zv/Ministrja e Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Filloreta Kodra shprehu falënderimet e saj për ndihmën e Spanjës për promovimin e barazisë gjinore dhe shprehu vullnetin e ministrisë që përfaqëson, për të konkretizuar këto iniciativa në veprime dhe programe konkrete.

Në këtë ceremoni, morën pjesë specialistë akademikë të çështjeve sociale dhe të studimeve gjinore, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë që punojnë në Shqipëri për forcimin e perspektivës gjinore, si edhe profesorë të shkollave të mesme.

Qëllimi kryesor i projektit është forcimi i rolit të shoqërisë civile në mbështetje të politikave strategjike shtetërore për të promovuar aksesin e grave në arsimimin cilësor, ku përmirësimi i programeve shkollorë që nxisin barazinë gjinore, si dhe përmirësimi i pjesëmarrjes së grave në mësimdhënie, planifikim dhe menaxhim të arsimimit, është një nga objektivat kryesore.

Fillimi i këtij programi ekstra-kurrikular në shkollat e mesme, synon që pjesëmarrësit, mësuesit dhe publiku të njihen me rëndësinë e implementimit të programeve për sensibilizimin gjinor si dhe të prezantojë përmbajtjen e programit për profesorët dhe nxënësit.

Ky program përbëhet nga kapituj të shumtë si: Përkatësia Gjinore dhe të Drejtat e Njeriut, Qytetaria, Dhuna në familje, Integrimi Europian, Media, Shëndeti riprodhues, Zhvillimi i Karrierës, Mjedisi.

e.r/NOA

KOMENTE