Stamboll, 18 Janar NOA - Stambolli është shpallur këtë fundjavë kryeqytet i kulturës europiane për vitin 2010. Për të marrë pjesë në këtë ceremoni krahas 28 delegacioneve të tjera qeveritare nga vende të ndryshme të botës, me ftesë të qeverisë turke, mori pjesë dhe një delegacion i vendit tonë, kryesuar nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj.
Pjesëmarrja e delegacionit shqiptar në veprimtaritë e zhvilluara në Pallatin e Kongreseve të qytetit metropol 15 milionësh, Stamboll është përshëndetur nga pala pritëse.
Ministri i Turizmit dhe Kulturës i Turqisë, Ertugrul Gunay, priti në një takim të veçantë e të ngrohtë e miqësore ministrin shqiptar të MTKRS, Ferdinand Xhaferaj, dhe e falenderoi atë jo vetëm për pjesëmarrjen, por edhe për mirëkuptimin politik midis dy qeverive për zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve shqiptaro-turke në fushën e Turizmit e të Kulturës.
Ministri Xhaferraj i tha homologut të tij turk se Shqipëria është e përkushtuar që të zhvillojë një turizëm të integruar me trashëgiminë kulturore.
Ndërkohë bëri me dije se Shqipëria është e gatshme të bëjë një kapërcim cilësor në këtë fushë, pasi këtë e lejon tashmë infrastruktura e ngritur si dhe zhvillimi harmonik i vendit në të gjitha fushat.
Duke shprehur kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar në këtë ceremoni, ministri Gunay e siguroi ministrin shqiptar, Xhaferaj, se do të angazhohet për ngritjen në një shkallë më të lartë të marrëdhënieve kulturore e në fushën e turizmit me Shqipërinë. Ftesës së ministrit Xhaferraj për të vizituar Shqipërinë, ai iu përgjigj pozitivisht, duke premtuar investime në programet e përbashkëta në këto dy fusha.
Të dy vendet mund të shfrytëzojnë me efektivitet trashëgiminë kulturore historike midis tyre, për të paraqitur reciprokisht në Shqipëri dhe në Turqi vlerat kulturore të krijuara. Në vizitën e ardhshme të ministrit turk, Gunay, në Shqipëri do të konkretizohen marrëdhëniet dypalëshe përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje dypalëshe.
e.r/NOA